Në gjyqin e parë për krime lufte në Kosovë, që u mbajt në Mal të Zi, ish-ushtari i Ushtrisë Jugosllave, Vlado Zmajevic u dënua me 14 vjet burg për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në Zhegër të Gjilanit.
Gjykata e Apelit e Malit të Zi, të mërkurën i vërtetoi dënim me 14 vjet burg ish-ushtarit Vlado Zmajevic për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë, raportojnë mediat e Podgoricës.
Zmajevic, i cili ishte anëtar i forcave të Ushtrisë Jugosllave që luftonin në Kosovë, u shpall fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër afër Gjilanit, gjatë luftës, në vitin 1999.
Ljoro Markic, një avokat për familjet e viktimave, tha se dënimi me burg ishte i papërshtatshëm.
Zmajevic u arrestua nga policia malazeze në vitin 2016 në qytetin e Nikshiqit.
Ky ishte një gjykim i rrallë i krimeve të luftës në Mal të Zi.