Më 16 maj 2025, Vlora Hyseni, drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), ka zhvilluar një takim zyrtar në Uashington me John Ratcliffe, ish-drejtor i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, dhe me Tulsi Gabbard, drejtoreshën aktuale të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së në administratën Trump.
Ky është një moment historik: për herë të parë, një zyrtare e lartë shqiptare – nga Shqipëria apo Kosova – zhvillon një takim zyrtar institucional, në ambientet qeveritare amerikane, me figura kyçe të administratës republikane. Po, më parë ka pasur përpjekje për t’u afruar me rrethin e Trump përmes lobimeve dhe darkave me miq e donatorë të tij – por ky është takimi i parë real, zyrtar dhe me peshë politike.
Takimi nuk ishte thjesht për foto.
Burime pranë delegacionit konfirmojnë se Vlora Hyseni ka diskutuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit, për marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Kosovës me NATO-n dhe SHBA-të, si dhe për kërcënimet që vijnë nga aktorë të tretë destabilizues. Ky është një sinjal i qartë se besimi i qendrave vendimmarrëse amerikane ndaj saj është real dhe i thellë.
Por suksesi i saj vjen pas një padrejtësie të madhe.
Nga përzënia pa arsye në Kosovë, te rikthimi si figurë kyçe në inteligjencën shqiptare
Përpara se të emërohej në krye të SHISH-it në Shqipëri, Vlora Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Inteligjencës në Kosovë (AKI). Në atë detyrë, ajo ndërtoi marrëdhënie të fuqishme me shërbimet partnere të vendeve të NATO-s, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por në vitin 2021, pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, ajo u largua në mënyrë të papritur, pa asnjë arsye profesionale, në mënyrë politike dhe të turpshme. I vetmi “gabim” i saj ishte që nuk i përkiste asnjë klani partiak.
Në vend që ta shihte si aset, Kosova e përzuri.
Edi Rama nuk humbi kohë, e ngriti në nivelin më të lartë të mundshëm
Në Shqipëri, Edi Rama reagoi shpejt. Fillimisht e mori Vlorën si këshilltare për siguri kombëtare, më pas e emëroi në krye të SHISH-it, një prej posteve më të ndjeshme të shtetit shqiptar – ndoshta edhe posti më i lartë që ndonjëherë i është besuar një shqiptareje nga Kosova në Shqipëri.
Në këtë rol, Hyseni ka ndërmarrë reforma të thella brenda strukturës së SHISH-it, ka rritur besueshmërinë ndërkombëtare dhe e ka çliruar institucionin nga ndikimi politik.
E sulmuar nga mediat e vjetra – por e rehabilituar nga faktet ndërkombëtare
Me rritjen e ndikimit të saj, filluan edhe sulmet. Media të afërta me rrethin e Sali Berishës kanë publikuar vazhdimisht shpifje dhe sulme ndaj saj – pa prova, pa fakte, me insinuata.
Por faktet janë të qarta: Vlora Hyseni nuk ka lidhje me biznese, nuk ka lidhje me parti politike, nuk ka skandale financiare. Ajo ka punuar me përkushtim dhe profesionalizëm – dhe takimi i saj me dy nga figurat më të rëndësishme të inteligjencës amerikane në administratën Trump hedh poshtë çdo shpifje që i është bërë.
Ky është suksesi i Shqipërisë (dhe humbja e madhe e Kosovës)
Ky zhvillim është një rikujtim i hidhur për Kosovën: ndërsa Tirana e vlerësoi, Prishtina e përzuri. Ndërsa Shqipëria ndërtoi ura me SHBA-të përmes saj, Kosova i dogji.
Takimi i saj me John Ratcliffe dhe Tulsi Gabbard nuk është vetëm një moment personal suksesi – është një simbol i një kthese strategjike, një vulë ndërkombëtare e besimit ndaj saj dhe një pasqyrë e qartë e gabimeve të lidershipit kosovar.
Njoftimi i plotëi ShISH:
Midis datave 15-17 maj 2025, znj.Vlora Hyseni, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington DC, ku u takua me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA (ODNI), të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës (CIA), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik.
Në takimin me znj.Tulsi Gabbard, Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA, u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të dy vendeve tona.
U shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar SHISH si partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon.
Në takimin me z. John Ratcliffe, Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA, u diskutuan një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh, ku u theksua partneriteti i shkëlqyer me SHISH në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta.
U shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës.
Vizita në SHBA dëshmon përkushtimin e agjencive respektive për të mbështetur me inteligjencë cilësore dhe paralajmëruese autoritetet e vendimmarrjes strategjike të dy vendeve, për të garantuar sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.