Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit E. A., pas pranimit të fajësisë në seancën fillestare.
Më 6 nëntor 2017, rreth orës 11:00, në fshatin Sllakovc të Komunës së Gjilanit, i akuzuari E. A. në plantacionin e pemëve, përkatësisht në trafon e sistemit solar për prodhimin dhe shpërndarjen e rrymës, në bashkëpunim me të akuzuarin K. S., dhe F. S. me dashje dhe qëllim që vetes t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror, kanë kryer vjedhje të rëndë, duke shkaktuar dëm material në vlerë prej 3333.00 euro të dëmtuarit A. B.
Ndaj të akuzuarit K. S. është bërë veçimi i procedurës për shkak të ekonomizimit të procedurës, ndërsa ndaj të akuzuarit F. S., Gjykata ka marr vendim me 26.01.2018.
Me këto veprime i akuzuari E. A. ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm, pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, ka shpall aktgjykim dënues prej një (1) viti burgim dhe gjobë 400 (katërqind) euro.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.