Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pak ditë para takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka folur lidhur me propozimin franko-gjerman, që ndryshe njihet edhe si propozimi evropian.
Ajo thotë se Kurti dhe Vuçiq janë më se të vetëdijshëm për masat ndëshkuese nëse nuk pajtohen ta nënshkruajnë “Marrëveshjen Bazë” për normalizimin e raporteve.
Von Cramon ka thënë qartë se pala që nuk e pranon këtë propozim, do të izolohet ndërkombëtarisht dhe sipas saj, Kosova dhe Serbia e dinë që pa zbatim të marrëveshjes, nuk mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
“Ky plan do të zhbllokojë vendosmërisht dhe realisht perspektivën evropiane të Kosovës, por edhe të Serbisë. Të dyja vendet e dinë shumë mirë se pa zbatimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, nuk do të ketë anëtarësim në BE. Kosova ka shumë për të fituar, duke përfshirë hapjen e rrugës për pesëshen mosnjohëse të BE-së për të lëvizur qëndrimet e tyre për shtetësinë e Kosovës, përfshirë Spanjën”, ka thënë ajo.
Tutje, Von Cramon e ka bërë të qartë se pala që refuzon marrëveshjen, do të izolohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht.
“Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç e dinë shumë mirë se pala që e refuzon marrëveshjen, ose pala qe tregohet jo konstruktive, do të izolohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht dhe do të fajësohet për dështimin. Kjo mund të çojë në një përkeqësim të relatave me BE-në dhe në ndalimin e disa proceseve të rëndësishme”, ka thënë von Cramon në një intervistë për AlbanianPost.