Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian është i gatshëm të veprojë shpejt për të arritur një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, por theksoi se bllokut i duhet kohë deri më 9 korrik për të siguruar një “marrëveshje të mirë”.
Deklarata e saj vjen pas një telefonate me Presidentin amerikan, Donald Trump, i cili kohët e fundit ka shprehur zhgënjim me ritmin e negociatave dhe ka kërcënuar me vendosjen e tarifave të reja.
Ai ka paralajmëruar se, nëse nuk arrihet marrëveshje, do të vendosë tarifa deri në 50% për të gjitha mallrat e importuara nga BE deri më 1 qershor.
Muajin e kaluar, Trump kishte vendosur një tarifë 20% për shumicën e produkteve evropiane, por më pas e uli përkohësisht në 10% deri më 8 korrik, për të lënë hapësirë për bisedime.
Von der Leyen u shpreh se Evropa është “gati të avancojë bisedimet shpejt dhe me vendosmëri”, por për një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme, kërkohet kohë deri më 9 korrik.
Ndërkohë, shefi i tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, pas një bisede me zyrtarë të lartë amerikanë, theksoi se blloku mbetet i përkushtuar për një marrëveshje që i shërben të dyja palëve.
“Tregtia BE-SHBA duhet të bazohet në respekt të ndërsjellë, jo në kërcënime. Jemi të vendosur të mbrojmë interesat tona”, ka theksuar ai.
Tensionet tregtare mes BE-së dhe SHBA-së janë rritur muajt e fundit. Trump ka kritikuar vazhdimisht marrëveshjet aktuale si të padrejta, veçanërisht për sektorin e makinave dhe produkteve bujqësore. Edhe pse disa tarifa u pezulluan për të lejuar negociatat, një taksë prej 25% mbi çelikun dhe aluminin evropian mbetet në fuqi.
Nga ana tjetër, BE-ja ka kërcënuar me kundërmasa, duke paralajmëruar tarifa 25% për mallra amerikane me vlerë 18 miliardë euro. Këto masa janë aktualisht të pezulluara, ndërsa po shqyrtohet mundësia e vendosjes së masave shtesë mbi importe të tjera amerikane me vlerë 95 miliardë euro.
Franca dhe Gjermania kanë kërkuar zgjidhje diplomatike, duke paralajmëruar se një luftë tregtare do të dëmtonte rëndë të dyja ekonomitë.