Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka hedhur akuza ndaj qeverive të kaluara për dështim të funksionimit të sistemit të drejtësisë në vend.
E gjithë kjo, pas rastit të fundit ku një 18-vjeçare mbeti e vrarë nga një i dyshuar për të cilin thuhet se kishte të kaluar kriminale.
”Si Ministri e Drejtësisë kemi çdo të premte takim me qytetarë. Dhe shqetësimi më i madh i qytetarëve është mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë. Dhe edhe në këtë rast, të vrasjes makabre të Marigonës, e pamë që sistemi i drejtësisë nuk ka funksionuar, për faktin që i dyshuari kryesor më 2013 kishte aktakuzë të ngritur dhe anën tjetër shtatë vite janë shumë kanë kaluar dhe ende nuk ka nisur procesi gjyqësor në këtë rast”, tha Haxhiu në Klan Kosova.
”Unë besoj që ka një kontribut të madh në këtë dështim edhe qeveritë e kaluara, sepse e kanë dashur sistemin e drejtësisë në shërbim të tyre dhe jo në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
”Prandaj kemi thënë se reforma në drejtësi siç është vetingu, një mekanizëm i rëndësishëm në Republikën e Kosovës për ta pavarësuar sistemin e drejtësisë, është shumë i rëndësishëm”, tha ajo.