Komisioni hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, pritet që gjatë javës së ardhshme të nisë intervistimin e dëshmitarëve.
Kështu ka njoftuar kryetari i këtij komisioni, Burim Ramadani, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës.
Ai ka thënë se sot ka nënshkruar ftesat e para për dëshmitarët.
“Në emër të Komisionit Hetimor, sot kam nënshkruar ftesat e para për dëshmitarët. Gjatë javës së ardhshme fillojmë intervistimet, bazuar në legjislacionin në fuqi.”, tha Ramadani.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi policia e kishte shoqëruar në banesën ku kishte jetuar me bashkëshortin, nga i cili ishte ndarë.
Gruaja kishte denoncuar vazhdimisht dhunën dhe kërcënimet nga bashkëshorti. Që në dhjetor të vitit të kaluar, ajo kishte njoftuar autoritetet se ai e kishte kërcënuar me jetë.
Gjykata kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje, duke i ndaluar bashkëshortit t’i afrohej, ndërsa kujdestaria e përkohshme e fëmijës së mitur i ishte dhënë Zekajt. Ajo kishte gjithashtu të drejtën të qëndronte në banesën e përbashkët.
Vetëm dy ditë para vrasjes, Zekaj i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, ku ankohej për mënyrën se si po trajtohej çështja e saj dhe për moszbatimin e vendimit gjyqësor.
Ditën e vrasjes, më 25 tetor, ajo kishte bërë një tjetër denoncim për dhunë në familje. Bashkëshorti u ndalua për 48 orë, ndërsa Zekaj kërkoi të kthehej në banesën e përbashkët.
Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t’i rrezikonte jetën dhe e kishte këshilluar të qëndronte te vëllezërit, derisa kthimi të organizohej me shoqërim policor.
Edhe pse kishte pranuar se siguria e saj mbetej e cenuar për shkak të pranisë së familjarëve të bashkëshortit në banesë, Zekaj kishte këmbëngulur të kthehej në shtëpi, në përputhje me vendimin e gjykatës.
Pak minuta pasi policia e shoqëroi në banesë, ajo dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.
I dyshuari u largua nga vendngjarja, por u arrestua në Deçan më 27 tetor. Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit për një muaj.










