“Ka grua që i ka fëmijët të një gjinie më shumë dhe e dëshiron edhe fëmijën e gjinisë tjetër…dhe me punën time shumë bashkëshortë i kam bërë me gjininë që e duan”, kjo është deklarata e kundërligjshme e një gjinekologu në Kosovë.
Kjo vie si shkak që mozaiku i familjes në Kosovë ende nuk konsiderohet i plotë nëse familja nuk e ka një djalë.
Metoda alternative mjekësore por edhe të tilla shkencore po aplikohen nga gratë që duan të lindin fëmijë të gjinisë mashkullore, përkundër se Ligji për shëndetin riprodhues, neni 23, tek veprimtaritë e ndaluara në lëmin e riprodhimit të asistuar ndalon përzgjedhjen e gjinisë.
Pavarësisht kësaj, janë kryesisht mjekët specialistë gjinekologë ata që po ndihmojnë këto gra në gjetjen e një zgjidhjeje për selektim gjinie, që pos e kundërligjshme është edhe e dënueshme.
“Përfundimisht kam vendosë me e bo një send që ndoshta logjikisht me mjekësi nuk është e lejueshme”, shprehet një Nënë e cila në intervistë për emisionin Udhëve në RTK, tregon se çfarë metodash përdori që të bënte selektimin e gjinisë.
“Ai që ma ka bo mu ka qenë gjinekolog, rrotullimi i anit të fëmijës, ajo ka qenë definitivja që e kam bo, se ka qenë ani në anën e vajzave, sipas gjinekologut”, thotë ajo në forme anonime.
Pas lindjes së 5 vajzave, kësaj Nëne iu shtua presioni nga rrethi që të ketë edhe një djalë. Përkundër dëshirës për një djalë, bashkëshorti i saj nuk kishte ndryshuar sjelljen në raport me të e as nuk i bënte presion gruas. Ndërkohë, çiftit iu plotësua dëshira.
“Nuk është qe kemi bërë ndonjë planifikim familjar por të gjithë fëmijët kanë ardhur me një dëshirë, d.m.th i kam 6 fëmijë, 5 vajza dhe një djalë, dhe jam shumë e lumtur”, shprehet ajo.
“… pas 5 vajzave e kam djalin”, vazhdon rrëfimin Nëna e cila tregon se deri në momentin që kishte vendosë të kishte edhe një djalë, nuk kishte tentuar të provonte as një metode të përfolur nga të afërmit, për mundësinë e të pasurit një djalë.
“Deri sa kam vendosë me e pasë djalin pas 5 vajzave, nuk kam qenë më herët as në mjek as s’kom provu… kam shku në mjekë të ndryshëm, s’kam lanë vend pa shku, kam shku nëpër mjekë që kanë qenë të thirrur për atë punë”.
Me ligjet në Kosovë, selektimi i gjinisë së frytit është i ndaluar rreptësisht dhe paraqet vepër penale.
Nga rrëfimi i kësaj gruaje kuptohet se kishte mjekë që shkelën ligjin duke u dorëzuar karshi zakoneve patriarkale. Këtë sigurisht se e bënin në kundërvlerë parash, duke ju premtuar çifteve që do të kenë një fëmijë të gjinisë mashkullore.
“Mua me kanë preferu edhe ineksione të ndryshme edhe me shku me u ngjeshë edhe gjëra të ndryshme, por nuk kam pranu, e vetmja ndërhyrje që kam bo unë me mujtë me e bo një djalë, ka qenë rrotullimi i anit të fëmijës”.
Gruaja që ka pranuar të flasë për emisionin Udhëve vetëm në mënyrë anonime tregon se nuk është e vetmja që nga gjinekologu i është rekomanduar metoda alternative mjekësore për të mbetur shtatzënë dhe për të pasur një djalë.
“Unë tu u bazu në raste më perpara, qe kanë pas sukses edhe unë kam dashtë me provu… kam edhe të afërm të mia që janë detyru për shkak edhe të kushteve që dojnë me e pas edhe një djalë, i kanë dy-tri vajza edhe s’dojnë me e zgjatë më shumë por provojnë metoda”.
Tema e selektimit të gjinisë në Kosovë vazhdon të jetë temë tabu. Megjithëse ligjet ndalojnë selektimin gjinor, kjo temë mbetët ndër më të diskutuarat ndërmjet grave në rrjete sociale. Madje, rekomandohen edhe emra mjekësh që kryejnë këtë punë.
Është Riza Malaj, gjinekolog nga Skenderaj që i prinë listës së mjekëve që nuk heziton të flasë për emisionin Udhëve për kërkesat e mëdha që ai ka nga çiftet për t’i bërë me djalë.
“Tash, më shumë ka kërkesë për gjini, se sa për tjerat gjëra, i ka 3-4 vajza dhe e don edhe një djalë, ose e kundërta por ma rrallë”, thotë doktori Malaj.
Ai thotë se ka metoda mjekësore të cilat në vazhdimësi kanë pasur sukses sipas tij në përcaktimin e gjinisë.
“…disa metoda që kanë kallëzu sukses… 80% të rasteve që i marr e di rastin që di me e mjeku edhe kanë sukses, kanë djalë… janë të panumërta numri i pacientëve që i kam bo me djalë”, thotë me krenari Malaj.
Gjinekologu Malaj është i vetëdijshëm se një veprim i tillë i selektimit gjinor është i ndaluar me ligj por ai thotë se këtë e bënë për shkak të kërkesave dhe dëshirave të mëdha të çifteve për të pasur fëmijë të dy gjinive.
“Përcaktimi i gjinisë është i ndaluar, dihet, edhe nuk është e lejume… por kjo nuk është ndonjë metodë që lypë me u stopu, dëshira për gjini”, shprehet ai.
“Tash vijnë edhe prej lindjes së parë, e kanë njërën gjini edhe dëshirojnë me e pas gjininë tjetër”, tregon Malaj për llojet e pacienteve që trajton. Ai thotë se përveç djalit, për gjininë tjetër nuk ka kërkesa të shpeshta.
“Për vajza shumë ma rrallë, zakonisht lypin djem”.
Nëna e cila tregoi se ishte mjekuar te disa gjinekologë ka thënë se kishte të tillë që i kishin propozuar edhe mundësinë e fertilizimit artificial për mbetje shtatzënë.
Për më shumë shikojeni emisionin e plotë: