Numri i vrasjeve, vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve kanë shënuar ngritje në vitin 2018. Në një raport të publikuar nga Policia e Kosovës, janë pasqyruar këto raste të cilat gjatë vitit që lamë pas ishin më të larta së vitet e kaluara.
Sipas PK-së, numri i vrasjeve ka shënuar ngritje për 18.51%, apo nga 27 sa kanë qenë në vitin 2017, kjo është rritur në 32 raste. Në vitin 2018, numri i vjedhjeve ishte i lartë, ku pothuajse çdo ditë raportohej për vjedhje.
Nga 5 mijë e 735 vjedhje sa ka qenë më herët, ky numër është rritur në 5842 raste. Ndërsa, edhe grabitjet shënuan ngritje.
Bizneset, pronat private dhe institucionet mikrofinanciare kanë qenë cak i personave të maskuar dhe të armatosur gjatë 2018-ës.
Nga 290 sa ka qenë ën vitin 2017, ku numër është rritur në 297 raste, transmeton Indeksonline. Sa i përket sigurisë në trafikun rrugor, kjo vazhdon të jetë sfidë në vete.
Për të adresuar këtë sfidë, janë marrë masa në parandalimin e aksidenteve, ku vlen të përmendet Task Forca . Numri i aksidenteve në trafik rrugor në vitin 2018 ishte 15 mijë e 741 aksidente. Prej tyre, 100 kanë qenë me pasoja fatale, ku 129 persona kanë humbur jetën.
Gjatë vitit 2018 në kuadër të aktiviteteve policore të orientuara në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, krimeve të rënda, krimeve ekonomike dhe korrupsionit, terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, janë realizuar 1320 operacione, 1666 bastisje, si dhe janë kontrolluar 501 lokacione.
Në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, gjatë vitit 2018 është punuar në 153 raste, prej tyre 138 raste kanë qenë të reja.
“Janë realizuar 53 plane operative, 88 operacione, janë neutralizuar 3 grupe kriminale, janë arrestuar 263 persona të dyshuar, janë paraqitur 75 kallëzime penale, 16 raste janë dorëzuar në prokurori me raport të veçantë, 44 raste janë dorëzuar në gjykatë-Divizioni për kundërvajtje. Në vitin 2018 janë identifikuar 15 viktima të trafikimit, 17 janë asistuar duke u strehuar në strehimoret përkatëse për riintegrim dhe rehabilitim, ku prej tyre 3 viktima janë riatdhesuar vullnetarisht në vendin e origjinës, ndërsa 5 viktima nuk e kanë pranuar programin e asistencës dhe strehimit por janë riintegruar drejtpërdrejt në familjet e tyre. Gjithashtu janë trajtuar edhe 19 viktima potenciale”, thuhet në këtë raport.
Ndërsa, në fushën e luftimit kundër krimeve ekonomike, korrupsionit dhe pasurisë janë hetuar 533 raste, janë paraqitur 379 kallëzime, janë arrestuar 86 persona të dyshuar, janë realizuar 16 operacione dhe 26 plane operative, si dhe janë neutralizuar 7 grupe të organizuara kriminale. Policia gjatë 2018-ës ka kontrolluar dhe menaxhuar kufijtë shtetëror.
Kufijtë e Kosovës i kanë kaluar: 17765886 persona, që krahasuar me vitin e kaluar është ngritje për 5.08%; 5790249 mjetet motorike, që tregon ngritje për 3.91% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe 2279 trena, që krahasuar me vitin e kaluar gjithashtu tregon rënie për 2.81%. Policia kufitare ka arrestuar: 852 persona për vepra të ndryshme kriminale; (2245 persona me urdhëresa vendore; 16 persona me urdhëresa të ndryshme (ndërkombëtar etj.) dhe ka ndaluar 85 persona. Në operacione të ndryshme të ndërmarra, Policia ka konfiskuar 1473 armë zjarri të llojeve të ndryshme, që në raport me vitin 2017, është shënuar ngritje për 21.63%. Po ashtu ka konfiskuar 23941 copë municion të kalibrave të ndryshëm, që në raport me vitin 2017, është shënuar rënie për 5.66%./Indeksonline/