Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Amerika pret nga vendi i tij që ta njohë Pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë për Televizionin Pink ai ka theksuar se ambasadori i deritanishëm amerikan në Beograd, Kyle Scott ka luftuar për një marrëdhënie më të mirë me Serbinë, dhe e falënderoi për mandatin e tij, transmeton Klan Kosova.
“Përparim është bërë në atë drejtim që ne sot po flasim hapur me Amerikën dhe askush nuk po na imponon. Ata mund të mos e kenë ndryshuar qëndrimin e tyre për Kosovën, por ne po flasim hapur. Edhe pse Amerika pret që ne të njohim pavarësinë e Kosovës, qëndrimi ynë për këtë çështje po dëgjohet sot”, shtoi ai.
Kreu i shtetit serb tha mes tjerash se Serbinë po e pret një vjeshtë e vështirë sa i përket çështjes së Kosovës.
Duke folur për zgjedhjet e 6 tetorit që mbahen në Kosovë, Vuçiq thotë se “shqiptarët kanë tri lista për t`i dëbuar serbët, në mënyrë që Beogradi të mos pyetet për asgjë”, transmeton Klan Kosova.
Ai tha se javën tjetër, gjatë sesionit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të ketë një numër të madh takimesh me zyrtarë botërorë dhe se këto bisedime do të jenë të vështira sepse Kosova do të jetë një temë mbizotëruese.
“Do të kem takime të panumërta në New York. Me njerëzit e BE-së, shumë takime bilaterale, përsëri me Kancelaren Merkel, gjë që është një kënaqësi për mua”, theksoi Vuçiq.