Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për mediat serbe mbrëmë ka thënë se Serbia mund të largohet nga Këshilli i Evropës nëse pranohet Kosova.
“Një mundësi është largimi nga Këshilli i Evropës. Hyrja e Kosovës në atë organizatë do të ishte de facto dëbim i Serbisë” ka thënë Vuçiq.
“Do të jetë shumë, shumë e pakëndshme kur (ndërkombëtarët), të dëgjojnë të gjitha detajet se si e kanë gënjyer Serbinë për Këshillin e Evropës dhe të gjitha historitë e tjera. Bëjeni këtë, dhe pastaj do të shohim nëse Serbia dëshiron të qëndrojë apo jo në Këshill të Evropës. Pra, të shohim, ndoshta ju pëlqen ta keni Prishtinën në Këshillin e Evropës më shumë se sa Beogradin dhe Serbinë”, tha Vuçiq.
Ai tha se nuk do ta zbulojë deri në fund se cili do të jetë veprimi i tyre.
Presidenti i Serbisë minimizoi rolin e KiE duke thënë se është një organizatë që nuk vendos për asgjë.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar përmes një postimi platformën “X”, ndaj dekalratës së Vuçiq, duke thënë se sigurisht që Serbia nuk do të largohet nga kjo organizatë.
“Sigurisht që Serbia nuk do të largohet. Biseda nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt. Anëtarët e Këshillit të Evropës do të vendosin vetë se kë do të pranojnë. Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës”, ka shkruar ajo.
Këshilli i Evropës ka konfirmuar se më 27 mars, në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare, në rend dite do të jetë raporti për Kosovën.