Në paraqitjen e tij të fundit si president i Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Aleksandar Vuçiq u mor sërish me Kosovën.
Natyrisht, duke e kundërshtuar pavarësinë e saj. Ndërsa e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare e se e interpreton ndryshe parimin e integritetit territorial kur flet për Serbinë dhe shtetet e tjera.„Shumë prej jush kjo u tingëllon si një e kaluar e largët, por plagët që i janë shkaktuar të drejtës ndërkombëtare publike janë gjithnjë e më të thella dhe më të rënda. Të jemi plotësisht precizë, rendi i respektimit të Kartës së OKB-së dhe i së drejtës së bazuar në të nuk ekziston më, e atë e rrënuan ata që copëtuan territoret e vendeve të tjera për hir të interesave të tyre politike dhe ekonomike”, tha Vuçiq. „Është e pamundur të mbyllet Kutia e Pandorës e hapur”
Ani se nuk e njeh Kosovën si shtet, ai e akuzoi qeverinë e saj në krye me Albin Kurtin se nuk e zbatoi marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Vuciq që tash garon për kryeministër të Serbisë, vendit që e drejton për gati dy dekada, e akuzoi edhe bashkësinë ndërkombëtare se nuk i mbajti premtimet ani se ky shtet I ka përmbushur kërkesat që iu bën, përfshirë bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.
“Na shpjegonin se duhej t’i dorëzonim njerëzit tanë Tribunalit të Hagës dhe pastaj do të rridhnin mjaltë e qumësht dhe do të lulëzonin lulet. Ne i dorëzuam, ndërsa nuk morëm asgjë”, tha Vuçiq .
Pa e përmendur fare agresionin në Banjskë, që ndodhi pikërisht 3 vjet më parë, e as nderimet që iu bënë kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiqit, kryeserbi u mor me Kroacinë, për të cilën tha se po krenohet me të kaluarën e saj naziste
“Për ne në Serbi është më e vështira kur në mjedisin tonë shohim trashëgiminë e nazizmit të ngritur në nivel të prestigjit shoqëror në Republikën e Kroacisë, e cila krenohet me të kaluarën e saj naziste dhe me përdorimin sot të sloganeve dhe simboleve naziste”, tha Vuçiq.
Ai vlerësoi se bota po hyn në një periudhë që karakterizohet nga një shpërndarje më e ndërlikuar dhe më pak e parashikueshme e fuqisë.
„Në të cilën rreziku nga konfliktet e mundshme është më i madh se sa ka qenë me dekada, me ç’rast nuk bëhet fjalë vetëm për konflikte klasike të armatosura, por konfliktet po zhvillohen gjithnjë e më shpesh përmes presioneve ekonomike, kufizimeve teknologjike, luftës për burime dhe tregje, sulmeve kibernetike, dezinformatave dhe tentativave për të ndikuar në shoqëritë e tjera”, tha ai.
Vuçiq deklaroi se Serbia ndodhet në rrugën evropiane dhe se do të duhet të bëjë edhe shumë gjëra të tjera për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e BE-së, ndërsa falënderoi kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryetarin e Këshillit Evropian Antonio Costa për çdo lloj ndihme.










