Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se sulmi në Banjskë ndodhi pasi “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada dhe duke nxitur më pas reagimin e policisë së Kosovës.
Në një adresim të drejtpërdrejtë televiziv, mbrëmjen e së dielës, ai tha se “tre serbë nga Kosova u vranë – dy nga snajperët – dy u plagosën rëndë dhe ka frikë për vrasjen edhe të personit të katërt”.
“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen në mediat e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti”.
“Unë, në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt”, tha presidenti serb.
Sipas tij, i vetmi fajtor për atë që po ndodh në veri, “është Albin Kurti”.
“Nuk kemi mundur të flasim më herët, sepse nuk kemi kontroll efektiv në Kosovë që nga viti 1999. Na është dashur shumë kohë që ta hetojmë vetë atë që ka ndodhur”, tha Vuçiq.