Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se pret “vetëm lajme të këqija” për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në dialog me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).
“Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE)”, tha Vuçiq.
Vuçiq, duke folur për anëtarësimin e Kosovës në KE, tha se “ne u thamë atyre se çfarë do të ndodhte nëse kjo do të ndodhte. Sepse mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen në mënyrë të rreme, jo në mënyrë të gabuar apo si të duan, por në mënyrë të rreme.
“Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse synimi i dikujt është që ta shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës”, shtoi ai.
Në marrëveshjen e arritur në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbisë i kërkohet, ndër të tjera, edhe të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kosova shpreson se do të mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pasi më 13 mars qeveria i kërkoi Agjencisë Kadastrale t’i transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Kryeministri Kurti tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokën do të ishte vendimtar për pranimin e Kosovës në KE, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Në rast se Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën e fundit duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës – gjë të cilën qeveria e pret të ndodhë në muajin maj.
Në atë rast është e mundur që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të kushtëzohet edhe me çështje të tjera.
Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha për Radion Evropa e Lirë të premten se janë disa vende evropiane që po i kërkojnë edhe dy kushte për anëtarësimin e Kosovës.
“Njëri ka të bëjë me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha ai.
Ndërkohë, Vuçiq, po ashtu, paralajmëroi ndryshime në qasjen e shtetit të tij në dialog.
“Nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash për popullin tonë në Kosovë. Por do të ketë ndryshime në doktrinën dhe qasjet tona. Nuk do te na sjellin më përpara një akti të përfunduar dhe na thonë se kanë rënë dakord të behet pagesa këtu, pastaj të paguhet atje, dhe pastaj të konvertohet nga dollarë në euro, dhe nga euro në të tjera”, theksoi ai.
Të martën, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruskel për të biseduar në kuadër të dialogut çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt.