Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nëpërmjet një video në Instagram ka komentuar takimin e sotëm të nivelit të lartë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin në Bruksel ku do të diskutohet për të zhdukurit dhe ku do të prezantohet draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Vuçiq ka vazhduar me propagandën e njëjtë të para çdo takimi duke thënë se do të jetë e vështirë dhe se të gjithë “të mëdhenjtë” e Perëndimit janë kundër tij.
“Do të jetë e vështirë. Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim. Megjithatë, ligji dhe drejtësia janë në anën tonë. Më e rëndësishmja, ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruash atë, me gjithë presionin. Rroftë Serbia!”, ka shkruar Vuçiq në Instagram duke ia bashkëngjitur edhe videon.
Një rund i ri i dialogut, i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet ditën e sotme në Bruksel. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thirrur një takim për në orën 18:00, ku do të marrin pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç ka njoftuar Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme të premten, në tavolinë do të jenë dy tema, draft statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Deklarata për Personat e zhdukur.
Nga takimi në Ohër kanë kaluar 45 ditë dhe në atë të sotmin do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes së arritur atje.