Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar se vendimi i marrë sot nga Qeveria e Kosovës është i bazuar në marrëveshjet e viteve 2011 e 2016 për lëvizjen e lirë.
Vuçiqi në një konferencë për media, tha se kjo që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës nuk thuhet e as nuk shkruhet askund.
“Thanë se kanë marrë vendim bazuar në marrëveshjet e arritura më herët dhe në konsultim me të gjithë. Kjo marrëveshje është pos në kokën e Kurtit dhe se ndoshta është konsultuar me mentorët e tij”, ka thënë Vuçiqi. “Kjo nuk është e shkruar askund, as nuk do të jetë”.
Vuçiqi teksa ka folur për këto marrëveshje ka thënë se bëhet fjalë vetëm për targat KS, që me vendim të Qeverisë më nuk janë valide në Kosovë.
Sot Qeveria e Kosovës ka vendosur masa reciprociteti me Serbinë, duke mos lejuar veturat me targa të Serbisë në Kosovë, njëjtë siç bën edhe Serbia tash e sa vite me veturat me targa RKS kur futen në Serbi.
Për qarkullim tash duhen targa të përkohshme, njëjtë siç vepron edhe Serbia.