Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar me tone akuzuese ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas thirrjes së këtij të fundit për krijimin e një gjykate të posaçme ndërkombëtare që do të hetonte krimet e njohura si “Sarajevo Safari”, të kryera gjatë rrethimit të Sarajevë në fillim të viteve ’90.
Kurti e ngriti këtë çështje gjatë konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Instituti i Krimeve të Luftës në Kosovë, duke theksuar se ekzistojnë informacione serioze se persona të ndryshëm kanë paguar për të qëlluar civilë boshnjakë me snajperë, në atë që njihet si “turizëm i snajperëve” – një praktikë e cilësuar si krim i rëndë lufte.
Në reagimin e tij, Vuçiq shmangu thelbin e thirrjes për hetim ndërkombëtar dhe, në vend të kësaj, e drejtoi diskursin drejt akuzave ndaj Prishtinës, duke e lidhur çështjen me tema të tjera, përfshirë “Shtëpinë e Verdhë” dhe pretendime territoriale.
“Mund të organizosh 1,000 gjykata, nuk ia vlen… Por nervozizmi i Prishtines është për shkak të Shtëpisë së Verdhë dhe problemeve që kanë. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Po flasim vetëm për Shtëpinë e Verdhë, por vetë fakti që dikush po u merr 14% të territorit është në kundërshtim me të gjitha dispozitat e së drejtës publike ndërkombëtare, gjë që i bëri evropianët të hidhen tani. Ata e hapën vetë kutinë e Pandorës, nëse dhe kur do ta mbyllin… Nuk jam i sigurt. Ne gjithmonë e kemi respektuar ligjin, kemi parime dhe politikë, dhe këta të tjerët jo”, shprehet Vuçiq.
Kurti e riktheksoi se “e ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.
Gazetari investigativ kroat Domatoj Margetiq, ka publikuar dhjetëra shkrime e dokumente që e ndërlidhin Vuçiqin me “Sarajevo Safarin”.
Margetiq ka arritur të sigurojë një intervistë me Aleksandar Liçanin, i cili pohon se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i vrasjeve të civilëve në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, në atë që sot njihet si “Sarajeva Safari”.
Liçanin ka deklaruar se ka parë nga afër veprimet e forcave serbe gjatë luftës, duke përmendur konkretisht emra si Sllavoj Aleksiq, Vojisllav Sheshel dhe Aleksandar Vuçiq.
“Ashtu është. Ekzistojnë edhe disa fotografi ku ata shihen duke bartur në shpinë pushkë snajper. Rrëfimi se ishte ombrellë është trillim”, ka pohuar Liçanin.
Ai ka shtuar se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i organizimit të ashtuquajturve “turistë snajperë”, të cilët, sipas tij, organizoheshin nga Vuçiqi dhe Shesheli dhe dërgoheshin në varrezat hebraike për të shtënë mbi qytetin.
“Njerëzit vinin nga vende të ndryshme për ta bërë këtë për para, sepse askush nuk është i çmendur të vijë dhe ta bëjë falas”, ka deklaruar ai.
Duke folur për mohimet e vazhdueshme të Aleksandar Vuçiqit lidhur me përfshirjen në këto krime, Liçanin është pyetur se pse, sipas tij, shumë njerëz hezitojnë të flasin publikisht për atë që ka ndodhur gjatë luftës.
“Njerëzit frikësohen për veten dhe për familjet e tyre. Por unë jam i përkushtuar të them të vërtetën dhe dua që e vërteta të mësohet nga të gjithë. Që t’i vihet pika atij Safarit të mallkuar të Sarajevës dhe të dihet se kush çfarë ka bërë dhe kush ka shtënë mbi civilët në Grbavicë”, ka deklaruar ai. /TheGeoPost

