Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se çdo vendim që merret nga secila palë në dialog duhet të bëhet në suaza të linjave të këtij procesi, kjo duke folur për mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit. Ndaj kësaj deklarate të Bashkimit Evropian ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shkruan Insajderi.
Osmani ka deklaruar se çështja e urës nuk duhet asesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke shtuar se kjo do të paraqiste shkelje të rëndë të sovranitetit.
“Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, shkroi presidentja në Facebook.
Reagimi i plotë pa ndërhyrje:
Reagim ndaj deklaratës së sotme të BE-së se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë
Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë.