Policia e Kosovës ka dënuar një qytetar në Vushtrri për tejkalim të shpejtësisë.
Siç njofton Policia ai ka vozitur 118 kilometra në orë në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h, shkruan Jepi zë.
Policia e ka gjobitur me 500 euro, pesë pikë negative si dhe i ka ndaluar drejtimin e mjetit për 1 vjet.
Njoftimi i plotë:
Në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h, identifikohet drejtuesi duke drejtuar automjetin me shpejtësi prej 118 km/h
Vushtrri, 8 Qershor 2022
Gjatë kontrollit të trafikut rrugor në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë përkatësisht në zonën urbane në Vushtrri, Njësia Rajonale e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, përmes radarit ka identifikuar një veturë e cila në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h ishte duke zhvilluar shpejtësi prej 118 km/h.
Sipas dispozitave të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor Nr. 05/L-088, ndaj drejtuesit të automjetit është shqiptuar gjoba prej 500 euro, pesë (5) pikë negative si dhe masa mbrojtëse- një (1) vit i ndalohet drejtimi i mjetit me veprim motorik.