KOMUNIKATË PËR MEDIA
LËVIZJA VETËVENDOSJE! – QENDRA VITI
Shkelje flagrante e ligjit, Statutit të Komunës dhe pazare politike në Kuvendin Komunal të Vitisë
Sot, në seancën e Kuvendit Komunal të Vitisë, shumica qeverisëse tentoi të imponojë formimin e dy drejtorive të reja komunale – Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca – pa asnjë paralajmërim paraprak, pa ndryshim të Statutit të Komunës së Vitisë, e cila përcakton numrin e drejtorive komunale, pa materiale shoqëruese dhe në shkelje flagrante të procedurave ligjore.
Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si opozita e vetme në Kuvendin Komunal të Vitisë, iu mohua qëllimisht e drejta e fjalës dhe pjesëmarrja në debat, duke e shndërruar seancën në instrument për realizimin e pazareve politike, e jo në forum demokratik të vendimmarrjes.
Sipas Nenit 56 të Statutit të Komunës së Vitisë, numer 01-013/491 i datës 21.04. 2011, formimi, ndryshimi apo shuarja e drejtorive komunale bëhet përmes procedurave të përcaktuara qartë, me propozim formal, shqyrtim institucional dhe mbulim buxhetor. Asnjëra nga këto kërkesa nuk u respektua në këtë seancë.
Formimi i drejtorive të reja, do të duhej të bëhej përmes ndryshim plotësimit të Statutit aktual të Komunës së Vitisë.
Këto vendime janë marrë pa transparencë, pa debat institucional dhe pa mbulim të qartë buxhetor, dhe përfaqësojnë zbatim të marrëveshjeve elektorale të partive të pushteteve të kaluara, të cilat sot po paguhen drejtpërdrejt nga qytetarët e Vitisë.
Përballë këtyre shkeljeve të rënda të ligjit, Statutit të Komunës dhe parimeve demokratike, asamblistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e lëshuan seancën, duke refuzuar të legjitimojnë një proces të paligjshëm dhe të dirigjuar politikisht.
Lëvizja VETËVENDOSJE! do të shfrytëzojë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar këto vendime dhe për të mbrojtur interesin publik.
Qytetarët e Vitisë meritojnë qeverisje sipas ligjit, transparencë dhe përgjegjësi, jo pazare politike dhe vendime të improvizuara.
LËVIZJA VETËVENDOSJE! Qendra Viti!










