Edhe pse kanë mbetur më pak se 24 orë deri në mbajtjen e seancës për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Gjilan, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kanë arritur marrëveshjen përfundimtare.
Kështu ka bërë të ditur, ushtruesi i detyrës së kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, në një prononcim për Paparacin.
“Nesër ka me u mbajtë seanca e radhës, sot kemi pasur vetëm bisedime indirekte dhe jo takim zyrtarë”, ka thënë Rashiti.
Ndryshe të martën, Rashiti ka treguar edhe për kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës, duke përfshirë pesë drejtori, kryesuesin e Kuvendit apo nënkryetarin e Komunës.
“Jemi në negociata. E kemi afruar shumë por ende nuk kemi ndonjë marrëveshje. Kërkesat tona ishin pasi jemi dakorduar në shumë pika. Jemi dakorduar për kryesuesin e Kuvendit. Ne si PDK e kemi zgjidhjen më të mirë të mundshme për kryesuesin e Kuvendit. Seanca do të mbahet pasnesër prej orës 10:00”.
“Ata janë në negociata me të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe LDK-në. Të shohim nëse mundemi me arrit ndonjë marrëveshje. Ne kemi kërkuar njërën pozitë, kryesuesin e Kuvendit apo nënkryetarin e Komunës dhe pesë drejtori. Ata na kanë ofruar kryesuesin dhe tri drejtori. Sot e kemi afruar, për kryesuesin e Kuvendit kemi pajtueshmëri, për punën e drejtorive nuk kemi pajtueshmëri. Ata nuk kanë lëvizë në ndonjë hapë që të finalizohet marrëveshja”, deklaroi ai.