Deputeti Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një konferencë për media, me ç’rast ka folur lidhur me vjedhjet e fundit nga Thesari i shtetit dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas tij, vjedhja e dy milionëve në Thesar ishte rezultat i politikës kriminale të kastës së vjetër politike, njofton Klan Kosova.
“Ky normalitet nënkupton vjedhje, hajni, korrupsion. Sot kishim edhe një vjedhje tjetër, sot kishim vjedhje fizike në AUV. Pra nuk kemi të bëjmë me vjedhje kibernetike e transaksione elektronike, por edhe fizike, në një ndërtesë që ruhet nga Policia e Kosovës”.
“Kjo trimëri është shkaktuar nga veprimet që kthejnë gjendjen kaotike në vend, duke filluar nga Vettingu, zhbërja e task-forcës e ndërhyrjen politike në drejtësi. Çdo ditë që humb Kosova me këtë qeverisje ilegale, është ditë e humbur dhe ka kosto të madhe”.
“Presim që të rrëzohet kjo qeveri. Të hidhet në votim mocioni i mosbesimit që të hapet rruga për zgjedhje. Kërkojmë që krejt qeveria të shkojë në shtëpi”.