Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker është paraqitur të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, zëdhënësja e kësaj gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila tha se dëshmia e tij ka të bëjë më krime lufte.
Tutje, bëhet e ditur se seanca është e mbyllur për publikun.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmitarit W.W, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special është duke mbajtur seancën për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmitarit W.W, i cili ka të bëjë me krime lufte. Rasti është i mbyllur për publikun”, thuhet në përgjigje.
Walker ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1998-99. Ai pati rol kyç në ekspozimin e Masakrës së Reçakut në Shtime para gjithë botës.
Walker ditë më parë në Akademinë përkujtimore për masakrën e Reçakut tha se sot është kujtesë për atë se çfarë ka ndodhur 26 vite më parë.
“Sot, është kujtesa e asaj çfarë ka ndodhur para 26 viteve në këtë fshat për të cilin nuk është dëgjuar më parë. Më duhet të them se kur jam kthyer e më treguan se çfarë ka ndodhur më është dashur të pyes se ku është Reçaku dhe çfarë ka ndodhur aty. Pastaj, krejt rastësisht vendosa që unë të vij në Reçak dhe pash atë se çfarë pash. Pasdite, ju tregova atyre që dëshironin t’i dëgjonin fjalët e mia vetëm për atë se çfarë unë kam parë dhe çfarë kam interpretuar dhe kush ka qenë përgjegjës për këtë”, tha ambasadori Walker.
Walker deklaroi se e vërteta e Reçakut nuk ishte e vështirë për ta deklaruar, pasi sipas tij është e qartë se çfarë kishte ndodhur.
“Kjo nuk ka qenë e vështirë për ta thënë e deklaruar, ka qenë e dukshme dhe e qartë – që 45 civilë të pafajshëm u qëlluan, u morën nga fshati edhe burra edhe gra e djem të rinj nën kërcënimin armës së armatës serbe dhe u vranë. Ishte e qartë çfarë ka ndodhur aty. Ishte e vërteta për këdo që ishte me mua aty në mëngjes dhe unë thjesht i tregova botës se çka pash… Kjo ka qenë para 26 viteve”, tha ai.
Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.
Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, ku NATO vendosi të sulmojë caqet ushtarake policore serbe – bombardime këto të zgjatën 78 ditë. Fundi i tyre u shënua më 10 qershor 1999 kur edhe u miratua Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.