Federata e Futbollit e Zvicrës është duke menduar seriozisht që futbollistët me shtetësi të dyfishtë të mos luajnë për Përfaqësuesen zvicerane.Gjithnjë sipas këtij mediumi, zyrtarët e futbollit zviceran janë duke menduar për ndryshime radikale kur bëhet fjalë për futbollistët me nga dy shtetësi, shkruan Kurir.rs.
Kjo pasi Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri festuan me shqiponjë për golat e tyre në ndeshjen ndërmjet Zvicrës e Serbisë. Për këtë arsye, nga futbollistët me nënshtetësi të dyfishtë do të kërkohet të heqin dorë nga njëra pasaportë, nëse dëshirojnë të luajnë për Zvicrën. Alex Miescher e ka konfirmuar këtë për gazetën zvicerane “Tages Anezeiger” se duhet të vendosen disa kufij të qartë.“A duhet që futbollistët në një moshë të caktuar të përcaktohen se për cilin shtet do të luajnë? Mund të ndodhë që ne të investojmë në futbollistë, të cilët më vonë do të luajnë për një kombëtare tjetër. Federata mund të thotë se investimet janë të hapura vetëm për futbollistët e rinj që nuk kanë dyshtetësi. Ne dëgjojmë shumë premtime, por kur futbollisti i mbush 21 dhe vendos të luajë për një vend tjetër, sepse atje e sheh mundësinë më të madhe për sukses”, ka thënë Alex Miescher.Sipas tij, nëse futbollistët me nënshtetësi të dyfishtë dëshirojnë të luajnë për Zvicrën, atëherë duhet të dorëzojnë pasaportën tjetër.“Me këtë propozim dëshirojmë të shohim edhe mendimin e shoqërisë dhe nëse askush nuk pajtohet me mua, atëherë jemi në rregull”, ka shtuar ai.“Kjo është sikur në rastin e një çifti të ndarë kur fëmija duhet të përcaktohet ndërmjet nënës dhe babait. Do të ishte lehtësim për shumë futbollistë që sa më parë të marrin vendimin”, ka shtuar zyrtari i lartë i futbollit zviceran.Megjithatë, gazeta “Tages Anezeiger” thekson se gjithmonë do të ketë futbollistë që emocionalisht janë të lidhur me dy vende, prandaj as kërkesa për ta dorëzuar njërën pasaportë nuk do të ndikojë asgjë që në zemrën e tyre ta kenë ndjenjën për vendin prej nga e kanë prejardhjen.