Pas një rrugëtimi të gjatë profesional, Xhelal Jetishi i jep fund karrierës si drejtor i Shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu” në Gjilan, duke lënë pas vetes një trashëgimi të pasur në arsim dhe shoqëri.
Jetën profesionale e nisi në sport dhe administratë, ndërsa në vitin 2000 iu bashkua Policisë së Kosovës, ku shërbeu me përkushtim për tri vite. Por pasioni i tij i vërtetë ishte arsimi. Nga viti 2006 nisi punën si mësimdhënës, ndërsa në 2015 mori drejtimin e shkollës “Sahit Baftiu”, ku për një dekadë udhëhoqi me vizion, duke sjellë zhvillime të rëndësishme në cilësi, infrastrukturë dhe kulturë institucionale.
I respektuar nga kolegët dhe i dashur për nxënësit, ai la gjurmë si udhëheqës i qetë, i vendosur dhe i përkushtuar. Sot, në përmbyllje të këtij kapitulli, kolektivi i shkollës i shpreh mirënjohje për punën dhe shembullin që ka lënë pas./Radio Star/