Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vizita e tij në Luginën e Preshevës është refuzuar pa asnjë arsye dhe shpjegim nga autoritetet serbe, raporton teve1.info
Përmes një statusi në Facebook, Sveçla ka shkruar se vizita ishte planifikuar të bëhej me ftesë të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nvezad Lutfiu, derisa ka shtuar se ishte planifikuar edhe një takim me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
“Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellur agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës.
Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim”, ka shkruar Sveçla.
Për këtë, Sveçla ka thënë se do të ketë reciprocitet.
Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona.
Sipas tij, ky veprim i Serbisë e dëshmon qasjen destruktive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës.
Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, ka shkruar Sveçla.