Kandidati i PDK-së për deputet nga Gjilani, Selver Xhelili tha sot se partia është rritur për thuajse 50% në zgjedhjet e 9 shkurtit në Gjilan.
Xhelili tha se dyfishimi i PDK-së në Gjilan dëshmon kthimin e madh të partisë në skenën politike lokale.
“PDK-ja në Gjilan ka qenë një forcë e madhe politike, duke pasur edhe qeverisjen lokale të Komunës së Gjilanit. Me kalimin e viteve, me vonesat në reforma e ndryshime të kuadrove, ka rezultuar me numër në rënie të votuesve”, tha ai.
“Në pjesën e dytë të vitit 2024 dhe fillimin e këtij viti, duke ardhur kuadro të reja dhe disa reforma të nisura (reformat duhen të mos ndalen), në Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvend të Kosovës, PDK-ja në Gjilan u rrit thuajse për 50 për qind, u dyfishua, duke bërë një kthim të madh në skenën politike të Gjilanit”, u shpreh Xhelili.
Ai tha se me këtë trend rritës, PDK-ja në vjeshtën e këtij viti, në zgjedhjet e ardhshme lokale, “do të jetë forca e parë politike, duke e udhëhequr sërish Komunën e Gjilanit”.