Kandidati i PDK-së për deputet, Selver Xhelili (numri 83), ka deklaruar se diaspora kosovare këtë herë do ta mbështesë planprogramin e Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se PDK ka pasur dhe do të ketë një qasje më serioze dhe institucionale ndaj qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
Sipas Xhelilit, gjatë qeverisjes së kaluar të PDK-së, diaspora ka pasur një adresë të qartë institucionale përmes Ministrisë së Diasporës, e cila ka shërbyer si urë lidhëse mes mërgatës dhe Qeverisë së Kosovës.
“Ne e dimë që qeveria e kaluar kur udhëhiqte PDK-ja kishte edhe Ministrinë e Diasporës, një adresë ku kërkesat e tyre kanë qenë udhërrëfyese mes Ministrisë dhe Qeverisë,” ka deklaruar Xhelili.Ai ka theksuar se me ardhjen e Bedri Hamzës në krye të qeverisë, diaspora do të ketë një trajtim shumë më të veçantë dhe më dinjitoz, duke e cilësuar atë si një vlerë të çmuar për shtetin e Kosovës.
“Qeveria me Bedri Hamzën do të ketë një trajtim ndryshe për diasporën sepse ata janë vlerë e çmuar për Republikën e Kosovës. Diaspora i është përgjigjur vendit në kohë të mira dhe në kohë të këqija,” është shprehur ai.Xhelili ka paralajmëruar se me rikthimin e PDK-së në qeveri, do të krijohet sërish Ministria e Diasporës, e cila do të shërbejë si adresë zyrtare për të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
“Me ardhjen e qeverisë së PDK-së do të krijohet edhe Ministria e Diasporës, ashtu siç ishte edhe më herët, ku do të jetë një adresë e caktuar për të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve tanë jashtë Republikës sonë,” ka përfunduar Xhelili./gazetablic/

