Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Gjilan, Selver Xhelili, ka kritikuar qeverisjen aktuale duke thënë se në bashkëpunim me Qeverinë Kurti, nuk po i përmbushin nevojat e infrastrukturës në qytet shkruan Radio Star.
Xhelili ka kërkuar që të përfundojnë ato që janë nisur, e pastaj të dilet me projekte të reja me Power Point.
Shkrimi i plotë:
Komuna e Gjilanit, bashkë me Qeverinë Kurti të së njëjtës parti politike, nuk i kanë përmbushur nevojat e infrastrukturës së qytetit në mënyrë efikase. Është e rëndësishme që projektet infrastrukturore, si autostrada, hyrje-dalje të qytetit dhe finalizimi i sheshit të gjatë, heqja e strukturave të mbivendosura në sheshin ekzistues që pengojnë ecjen e këmbësorëve, të trajtohen me prioritete të larta dhe të përfundojnë brenda afateve të caktuara për të ndihmuar në zhvillimin dhe lehtësimin e ecjes së lirë dhe trafikut të mjeteve motorike.
Stadiumi i qytetit është një projekt shumë i rëndësishëm për qytetarët tanë dhe kulturën sportive të Gjilanit, e veçanërisht për dy klubet e mrekullueshme, “Gjilanin” dhe “Dritën”, si dhe të gjithë tifozët e sportdashësit. Është e rëndësishme që ky projekt të menaxhohet me efikasitet dhe të përmbushen standardet ndërkombëtare të FIFA-së për të siguruar një ambient të përshtatshëm për futbollin e ndërkombëtarizuar kosovar. Komuna duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të siguruar që ky projekt të përfundojë në kohën e paraparë dhe të përmbushë nevojat e Gjilanit, për një infrastrukturë sportive të mirë. Është stërvonuar tashmë çdo projekt kapital.
Të përfundojnë ato që janë nisur, e pastaj të dilet me projekte të reja me Power Point.