Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, synon ta marrë edhe një mandat për të drejtuar këtë institucion.
Përmes një statusi në profilin e tij në “Facebook”, ai ka kërkuar përkrahjen e gazetarëve në zgjedhjet për kryetar të AGK-së, që do të mbahen më 6 korrik.
Ai ka treguar se në këtë mandat bashkë me bordin ekzistuar kanë bërë punë të mëdha në mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së medias.
“Muajin tjetër bëhen 3 vjet që prej votimit në Kuvendin e AGK-së për kryetar. Bashkë me Bordin dhe Zyrën Ekzekutive kemi punuar shumë duke provuar të bëjmë më të mirën për komunitetin e gazetarëve e medieve, anëtarëve tanë dhe atyre që nuk janë pjesë formale e organizatës. Kemi avokuar për lirinë e medies e lirinë e shprehjes, shumë shpesh të sfiduar seriozisht, nga më të pushtetshmit. I kemi inkuadraur qindra anëtarë në aktivitetet tona, duke përfshirë trajnime e konferenca për temat e luftimit të dezinformatave, raportimin e përgjegjshëm gjinor, sigurinë e gazetarëve, raportimin e përgjegjshëm për komunitetet e margjinalizuara, raportimi për të kaluarën dhe të ngjashme. Kemi punuar e avokuar për sigurinë e gazetarëve, dhe kemi siguruar paisje mbrojtëse për zonat e rrezikshme”, ka shkruar ai, duke treguar për punët që janë bërë.
“Mes tjerash, i kemi kthyer Çmimet Vjetore pas disa vitesh, po zbatojmë me sukses programin unik të strehimit në Kosovë të gazetarëve nga Ukraina dhe Afganistani, kemi organizuar për herë të parë në histori Kongresin e Federatës Evropiane të Gazetarëve në Kosovë, si dhe kemi nderuar me mirënjohje të gjithë gazetarët e punëtorët e tjerë media që kanë kontribuar para dhe gjatë kohës së luftës në vend. Mirënjohës për punën e të gjithëve në AGK, dhe falënderues për partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë në zbatimin e këtyre projekteve. Me besimin se mund të vazhdojmë me më shumë punë e angazhim për të mbajtur po kaq krucial rolin e gazetarëve e medieve në demokracinë e Kosovës, në zgjedhjet e 6 korrikut, kërkoj përkrahjen tuaj edhe për një mandat të ri 3 vjeçar. Ju faleminderit”, ka shkruar Rexha.