Në draft-dokumentin e Komisionit për Administratë, Qeverisje lokale dhe Media, të siguruar nga Radiotelevizioni i Kosovës, janë dhënë propozimet për koeficientet e pagave në të gjithë sektorët publikë. Në të gjitha rastet, ndonëse ende ky draft nuk është final, koeficientet kanë pësuar ulje.
Në nivel të vendit, koeficienti më i lartë është 10, e që do të ketë presidenti i republikës. Sipas draft-propozimit, presidenti do ta kishte pagën 2390 euro apo mbi 400 euro më pak.
Me kërkesë të kryetarit të kuvendit, Kadri Veselit, që paga e tij të pësojë ulje, është paraparë që koeficienti i tij të jetë 9, e paga 2151. Pagë të njëjtë është propozuar të ketë edhe kryeministri.
Dokumenti që është në përpunim e sipër, ka paraparë rritje për policinë e Kosovës nga 391 euro në 528 euro, e që ngritja është për 105 euro, ndërkaq mesatarja e shtesës është 158 deri në 212 euro. Llogaritur këtë, një polic i Kosovës në total do ta ketë pagën 728 euro.
Në sektorin e shëndetësisë, mjekëve specialistë u rritet paga në 1195 euro, nga 659 euro sa e kanë aktualisht. Ngritja është 70%.
Mjekët e përgjithshëm, sipas këtij drafti, do ta kenë pagën 812 euro, me rritje prej 50%, pasi ata e kanë pasur pagën 565 euro.
Infermierëve u bëhet koeficienti 2.40, 2.10 dhe 1.90, varësisht prej arsimimi. Pagat do të jenë nga 573 euro deri në 454 euro, rritja tek këto kjo kategori për është 48 euro.
Ndërkaq për mësimdhënësit parauniversitarë, me ligjin e ri koeficientet është propozuar të jenë nga 1.90 deri në 2.30. Pagat do të rriten nga 549.7 euro, në 597.8 euro, më e larta, ndërkaq më e ulëta do të jetë rreth 502 euro.
Shërbyesve civilë nën koeficientin 2.7 u rritet paga për 48 euro.
Komisioni ka paraparë edhe ndërmarrjet publike, e në këtë grup e ka përfshirë edhe Transmetuesin Publik, duke e futur në një vend me Telekomin e Kosovës, KEK-un, Postën, kompaninë për menaxhimin e Mbeturinave, Aeroportin e të tjera, e ku këto kategori do ta kenë koeficientin më të lartë 7. Në këto ndërmarrje, paga më e vogël është propozuar të jetë 239 euro dhe më e larta 1.678 euro. Me këtë ndryshim, punëtorët e RTK-së do të kenë paga më të ulëta prej së paku 50 eurove.
Me këto ndryshime në paga, sipas këtij drafti do të kursehen rreth 23 milionë euro në vit.