Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni kontrolli në dy barnatore në qytetin e Gjilanit dhe Vitisë, ka zbuluar dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme barnash të dyshuara si të kontrabanduara.
Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë kontrollit të detajuar në ambientet e brendshme të barnatores, janë gjetur barna të fshehura, për të cilat nuk ishte paraqitur asnjë dokumentacion doganor.
“Dyshohet se këto produkte janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës, duke anashkaluar procedurat e importit dhe detyrimet doganore”, thuhet në njoftim.
Sipas vlerësimeve fillestare, vlera e barnave të sekuestruara kap shumën mbi 4 mijë euro.
“Dogana e Kosovës ka nisur procedurat hetimore ndaj pronarit të subjektit, si dhe ka njoftuar organet përkatëse për veprimet e mëtejshme ligjore”, theksohet në njoftim.