Dogana e Kosovës ka bërë të ditur sot se ka parandaluar një rast kontrabande me mallra të dyshuara si të falsifikuara në Pikën Kufitare të Vërmicës, ku janë arrestuar një zyrtar doganor dhe një transportues.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësitë Antikontrabandë të Doganës, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, kanë zhvilluar një operacion të planifikuar hetimor gjatë të cilit është identifikuar një përpjekje për të futur në Kosovë mbathje sportive të markave të mbrojtura, duke shmangur kontrollin doganor dhe pagesën e detyrimeve doganore.
“Hetuesit e Doganës, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Nga hetimet janë siguruar prova të mjaftueshme që dëshmojnë se zyrtari doganor nuk ka përmbushur detyrat ligjore duke mundësuar hyrjen e mallrave të kontrabanduara,” thuhet në komunikatë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë dy persona:
Zyrtari doganor, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”;
Vozitësi i automjetit transportues, për veprat penale “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e detyrimeve doganore”.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar angazhimin e saj në luftën kundër kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të brendshëm, duke theksuar se do të ndjekë penalisht çdo rast të abuzimit me detyrën dhe veprimtaritë e paligjshme që dëmtojnë ekonominë e vendit.