Dozat e para të vaksinave kundër COVID-19 në Kosovë do të arrijnë gjatë shtatë ditëve të ardhshme. Kështu ka bërë të ditur në një deklaratë për Front Online zyrtarja për informim e GAVI COVAX.
Sipas saj, përgjegjësit për vaksinim në UNICEF kanë treguar se Kosovës do t’i bëhet dorëzimi i dozave të para të vaksinave gjatë shtatë ditëve të ardhshme.
Megjithatë, ajo nuk ka treguar se sa është numri i vaksinave kundër COVID-19 që do të furnizohet Kosova.
“Për numrin e saktë të dozave të vaksinave dhe datën e dorëzimit të tyre është më mirë që ta kontaktoni Qeverinë e Kosovës”, ka bërë të ditur ajo.
Gazeta i ka dërguar sot pyetje edhe Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur në pyetjet e mediumit.
Përndryshe, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk ka filluar vaksinimin e qytetarëve të saj.
Ndonëse numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend ka arritur në 86194 raste, ndërsa 1819 qytetarë kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës.