Trajneri i Drita, Zekirija Ramadani, foli para derbit lokal kundër Gjilani, duke theksuar se ndeshja do të jetë e vështirë dhe me shumë rëndësi.
Ramadani theksoi se të dy ekipet hyjnë në këtë përballje me synim fitoreje dhe do të japin maksimumin në fushë.
“Të dyja ekipet do të luftojnë për fitoren. Vinim pas një fitoreje në mesjavë, por në derbi nuk ka rëndësi as pozita në tabelë, as forma e momentit. Një gabim i vetëm mund të vendosë rezultatin,” u shpreh trajneri.
Ai shtoi se Drita nuk ndihet si mysafire në këtë ndeshje dhe çdo fitore në derbi ka një rëndësi të veçantë.
“Nuk ndiejmë presionin e mysafirit. Përveç tre pikëve, fiton edhe krenaria, dhe kjo e bën derbin një sfidë speciale,” tha Ramadani.
Trajneri theksoi gjithashtu se ndeshja do të jetë sfiduese, pasi të dy ekipet njihen shumë mirë mes vete.
“Do të jetë një përballje e vështirë, sepse me rivalin njihemi shumë mirë,” përfundoi ai.
Në fund, Ramadani foli me emocione për ndarjen nga jeta të ish-zëdhënëses së klubit, Elife Sherifi, duke paralajmëruar se çdo fitore do t’i dedikohet asaj.
“Nëse arrijmë të fitojmë, do t’ia dedikojmë Elifes. Ajo ishte pjesë e rëndësishme e klubit dhe humbja e saj na ka prekur të gjithëve,” u shpreh trajneri./Radio Star/

