Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është fajtorja kryesore për krizën politike në vend. Sipas tij, kjo e fundit nuk po dëshiron marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit, andaj nuk po arrin dakordim as me Nisma Socialdemokrate për shkak të postit të kryeparlamentarit.
Zemaj, duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës në seancën konstituive për herë të 47-të, tha se s’pret zgjedhje të trupave të legjislativit as në seancën e sotme.
“Çështja ka të bëjë me emrin e kryetarit të Kuvendit, me pozitën e ofruar ose të mos ofruar për të siguruar votat e mjaftueshme. LVV-ja nuk dëshiron marrëveshje politike, por siç duket dëshiron që me këtë numër të votave të ketë kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme”, tha ai.
Zemaj u shpreh kundër idesë për organizim të zgjedhjeve të reja parlamentare në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale.
Madje, ai edhe arsyetoi disa prej mungesave të vazhdueshme të deputetëve në seancat konstituive, duke thënë se të njëjtat po mbahen çdo 48-orë, mirëpo shtoi se deputetët e LDK-së janë pothuajse të rregullt.
“Mungesat janë se seancat janë çdo 48-orë. Deputetët e LDK-së në numër të madh dhe në tërësi janë pothuajse të rregullt. Pritjet janë të vogla. Zgjidhje s’ka, as marrëveshje politike, ndërkaq pasojat janë të mëdha. Kapja e institucioneve, mosfunksionimi i institucioneve të pavarura, kriza ekonomike dhe korrupsioni”, përfundoi ai.