Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se të hënën do mbajnë takim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik ku edhe do të vendosin nëse do të marrin masa shtesë anti-Covid, duke parë se numri i vdekjeve është i lartë dhe personave të infektuar po ashtu.
“Të hënën pasdite do të ulemi të bisedojmë me IKPSH dhe Bordin dhe nëse është e nevojshme që të ndërmarrim edhe ndonjë masë që e ulë infeksionin dhe zbrit rastet spitalore që janë shqetësimi më i madh”, ka thënë ai nga qyteti i Podujevës.
I pyetur se a mund të ketë mbyllje totale ai ka thënë se do të veprohet ashtu si thonë profesionistët shëndetësorë, duke mos e përjashtuar kështu një gjë të tillë.
“Të gjitha rekomandimet që vijnë nga profesionistët, edhe për mbyllje, do ta shohim edhe ditën për kufizimet që duhet të ndërmarrim. Mbyllja është opsioni i fundit”, tha Zemaj.
Ndryshe, Kosovës të dielën i janë shtuar 626 raste të reja me coronavirus, pas marrjes së 1,505 mostrave.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar 16 viktima.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 3 raste (84, 79, 53 vjeç), Ferizaj 2 raste (77, 47 vjeç), Gjakovë 2 raste (80, 77 vjeç), Kamenicë 2 raste (62, 54 vjeç), Malishevë 2 raste (79, 67 vjeç), Suharekë 2 raste (76, 70 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (77 vjeç), Lipjan 1 rast (70 vjeç), Podujevë 1 rast (83 vjeç)”, është thënë në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas të dhënave të këtij Instituti të dielën janë regjistruar edhe 673 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 13,625.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 39,057 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Prej tyre 1,005 pacientë kanë vdekur.