Zemaj njofton se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka përcaktuar target grupet për vaksinim.
Përmes një njoftimi në “Facebook”, Zemaj ka shfaqur listën e personave të cilët do të vaksinohen të parët.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Siç e kemi bërë të ditur dje, në kuadër të angazhimeve konkrete të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, kemi marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 500 000 dozave të kësaj vaksine.
Këtë konfirmim e kemi marrë ditën e djeshme pas një seri takimesh dhe negociatash me këtë kompani, vaksina e së cilës është e para që është aprovuar për përdorim, në kuadër të përpjekjeve globale për mbrojtje kundër COVID-19.
Gjatë kësaj jave, MSh dhe kompania Pfizer do të finalizojnë edhe aspektet teknike që kanë të bëjnë me sigurimin e këtyre vaksinave.
Sipas dakordimit midis palëve, dozat e para të kësaj vaksine, në Kosovë do të arrijnë në muajin shkurt.
Në të njëjtën kohë, siç e dini, ne kemi punuar që prej korrikut dhe gushtit edhe me mekanizma të tjerë për sigurimin e vaksinave anti COVID-19, siç është mekanizimi COVAX, në të cilin kemi aplikuar në fillim të dhjetorit për vaksina, brenda afatit të caktuar prej tyre, për sigurimin e vaksinave të tjera.
Kemi konfirmimin që Kosova është në listën e 92 shteteve, për të cilat COVAX do të ndajë falas vaksina për 20 % të popullsisë, që në rastin e Kosovës i bie që ne do të marrim falas 360 000 vaksina.
Kosova ka vendosur pikën e kontaktit zyrtar në COVAX lidhur me vaksinat dhe deri tash ka ndjekur secilin udhëzim që i është kërkuar me qëllim që të jemi përfitues me kohë, sikur shtetet e tjera nga ky mekanizëm.
Krahas aplikimit zyrtar, më herët është bërë edhe aplikimi për asistencë teknike me qëllim të rritjes së kapaciteteve tona për administrimin korrekt të vaksinës, pas ardhjes së saj në Kosovë, që do të thotë ruajtjes, shpërndarjes dhe dhënies së saj për popullatën me prioritet grupet e caktuara.
Për këtë qëllim, jemi duke rritur kapacitetet e Zinxhirit të ftohtë me mbështetjen e ekspertëve të lëmisë përkatëse dhe të Projektit të Shëndetësisë Kosovare përmes Bankës Botërore.
Me qëllim të vaksinimit të suksesshëm, IKSHPK ka përcaktuar edhe target grupet për vaksinim si të parat ku bëjnë pjesë:
• Punëtorët shëndetësorë
• Personat e moshës mbi 65 vjeçare,
• Të gjithë personat me rrezik të lartë si ata :
• me sëmundje kronike të traktit respiratorë, siç janë astma, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (COPD) ose bronkitet,
• me sëmundje kronike të zemrës,
• me sëmundje kronike të veshkave,
• me sëmundje kronike të mëlçisë,
• me sëmundje kronike neurologjike, siç është sëmundja e Parkinsonit ose sëmundje tjera neurologjike,
• me aftësi të kufizuara,
• me diabet,
• disfunksian splenik ose aspleni,
• ata me sistem imunitar të dobësuar,
• personat Obes (i përcaktuar si BMI i 40 dhe më lart) ,
• Anëtarët e familjes të atyre pacientëve me rrezik të lartë,
• Ata persona që kujdesen për të moshuarit ose ndaj personave me aftësi të kufizuara, mirëqenia e të cilit mund të rrezikohet,
• Punëtorët që ofrojnë shërbime në një shtëpi të pleqve ose qendër rehabilituese, të cilët janë të përfshirë direkt në kujdesin e pacientë /personit të cenueshëm të cilët janë në rrezik të shtuar nga ekspozimi ndaj gripit,
• Punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe punëtorët social siç janë asistentët personal, që bëjnë përkujdesje familjare për pacientët me nevoja të veçanta.
• Personat e moshës mbi 40 vjeç,
• Punëtorët e arsimit,
• Policia, ushtria dhe stafi në institucione të rëndësishme shtetërore, si dhe
• Punëtorët e sektorit publik
• Personat me sëmundje shoqëruese dhe shtatzënat;
• Punëtorët e shërbimeve të sigurisë dhe shërbimet e lidhura me menaxhimin e COVID-19 si dhe grupet e tjera…
Me një fjalë do të vaksinohen të gjithë ata që duhet vaksinuar.
Për këtë qëllim, në Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 janë paraparë 40 milionë euro për vaksina dhe nevoja të tjera lidhur me COVID-19 dhe vaksinat do t’i jepen falas popullatës.
Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit, ne do të përgatisim ambiente të veçanta për ta filluar procesin, derisa përvojat e mira të IKSHPK-së dhe Njësive të vaksinimit të QKMF-ve, do të na shërbejnë gjithashtu gjatë procesit.
Pra, pas shumë përpjekjeve të MSh dhe ekipit të caktuar që të merret ekskluzivisht me çështjen e vaksinave anti COVID-19, ne i jemi afruar këtij procesi kaq të rëndësishëm.
COVAX dhe Pfizer nuk janë të vetmet mundësi që ne kemi shqyrtuar për sigurimin e vaksinës, sepse, siç e dini Bashkimi Evropian gjithashtu do të ndajë një sasi të vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor, derisa në këtë proces kemi mbështetjen edhe të partnerëve tanë.
Pra, në variantin real, ne presim që vaksinat e para, të cilat sigurisht do të ndahen për personelin shëndetësor të ndahen në shkurt, për të vazhduar me furnizime në faza, ndërkohë që kjo nuk e përjashton mundësinë që doza të caktuara të vaksinave të sigurohen edhe më herët.
Ajo që Ministria kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës është që të besojnë në këshillat e profesionistëve shëndetësor, të bëhen gati për vaksinim dhe të ndjekin vetëm udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
Një fushata informuese do t’i paraprijë gjithsesi vaksinimit.
Ne mbesim të përkushtuar që qytetarëve t’u sigurojmë mbrojtje shëndetësore, vaksinim gjithë përfshirës dhe me këtë rast, u bëj thirrje grupeve të caktuara, që të shfrytëzojnë edhe vaksinimin kundër Gripit sezonal, me që Ministria, përkundër skeptikëve, ja ka dal të sigurojë mbi 220 mije vaksina të gripit sezonal dhe të mbroj qytetarët e saj.
Deri në fillimin e vaksinimit kundër COVID-19, i bëjmë thirrje popullatës që të zbatojë masat në fuqi, duke mos neglizhuar për asnjë rast situatën, e cila ende është serioze dhe meriton kujdes maksimal.
Pra,
• Bartni maskat mbrojtëse
• Ruani distancën dhe
• Mbani higjienën personale dhe kolektive.