Ministri i Shëndetësisë po zotohet se në Kosovë nuk do të ketë mjekë të papunë, derisa kërkon ngritje të performancës dhe llogaridhënies. Për këtë ministri Armend Zemaj thotë se ata që nuk mund t’i kryejnë detyrat, do të kalojnë në nivel tjetër të përgjegjësisë.
Gjatë takimit me drejtorët e klinikave të QKUK-së, Zemaj tha se performanca do të kërkohet nga të gjithë, dhe qëllimi i këtyre takimeve është që të koordinohen aktivitetet dhe t’iu shërbejnë qytetarëve sipas kompetencave dhe ligjeve në fuqi.
“Jemi të interesuar që të rrisim kapacitetet, t’iu ndihmojmë në punën e përditshmërisë çfarë ju keni, por njëherit të kërkojmë edhe llogaridhënie dhe performancë më të mirë. Gjithmonë duke pasur një organizim efikas aty ku na lejon mundësia të shtojmë kapacitetet, aty ku ka nevojë për ristrukturim dhe riorganizim pse jo mos të ecim në avantazh. Por duke ruajtur substancën dhe profesionalizmin, mbi të gjitha etikën profesionale që ju e keni edhe të ndërtuar por jeni bartës dhe përgjegjës në punë dhe në menaxhimin e klinikave të QKUK-së”, ka deklaruar ai.
Zemaj tha se do të shoh mundësinë që komunikimin me udhëheqësit e institucioneve shëndetësore, ta shndërrojë edhe përmes kontakteve fizike e jo vetëm përmes letrave e dokumenteve.
“Qytetarëve tanë t’iu ofrojmë shërbime më të mira këtu, dhe të mos kenë nevojë që në masë të madhe të marrin trajtime edhe jashtë vendit. Ky është edhe një ndër prioritet e mia, unë besoj edhe në punën dhe profesionalizmin e juaj, atëherë të shfrytëzojmë edhe kapacitetet edhe mundësitë që këto shërbime të merren në Kosovë dhe të mos ketë nevojë që në masë të madhe gjithë ai numër enorm edhe i shpenzimeve buxhetore por edhe i shfrytëzimit të resurseve humane të mos ndodhë”, u shpreh ai.
Ai ka kërkuar që të kthehen sa më shpejt shërbimet duke iu përmbajtur masave sipas rekomandimeve duke ofruar kështu shërbime në kohë pandemie. Për këtë ai ka kërkuar rritje të performancës.
“Nuk do të lejojë që asnjë mjek në Kosovë të jetë i papunë. Edhe këtë do ta mbajë me përgjegjësi, do të insistojmë maksimalisht që kjo të jetë pjesë përbërëse e strukturave spitalore në të gjitha nivelet në Kosovë. Nivelin e llogaridhënies dhe të performancës, të them drejtpërdrejt nuk do të lejojë që të kërkohet vetëm nga një adresë. Nëse dikush mendon që adresë është vetëm ministri kjo nuk do të ndodhë. Unë e kam parë edhe në komunikimet e juaja ka tejkalim të kompetencave, ka tejkalim të kërkesave të cilat janë të arsyeshme të cilat i kalojnë të gjitha fazat edhe elementet menaxheriale”, shtoi ai.
Në takimin me udhëheqësit e klinikave, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor të Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka falënderuar të gjithë drejtorët e klinikave për punën gjatë këtyre muajve të përballjes me COVID-19.
“Kemi tri tema të shkurtra që do t’i adresojmë këtu. Në radhë të parë menaxhimin e pandemisë sepse si shtetet e tjera edhe Kosova është ballafaquar gjatë këtyre gjashtë muajve me pandeminë COVID dhe të gjithë ne bashkërisht kush më shumë e kush më pak është angazhuar dhe fokusuar në pjesën e aktiviteteve tona për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët me COVID. Tema tjetër që dëshirojmë të bisedojmë është ngritja e disiplinës në punë që duhet të jetë në nivelin më të lartë. Dhe nën tre do të bashkëbisedojmë edhe për planet e rikthimit të shërbimeve të tjera shëndetësore për pacientët jo COVID”, ka thënë ai.
Zemaj gjatë ditës ka vizituar edhe Klinikën e Radiologjisë dhe Pediatrisë, derisa ka potencuar që do të shohin të gjitha mundësitë buxhetore për pagesat shtesë të punonjësve shëndetësorë.