Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, njëherësh edhe deputet në ardhje nga LDK’ja, ka thënë se qeverisja e ardhshme mund ta sjellë vendin në “pushtet totalitar”.
Zemaj këto komente i ka bërë në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7. Ai ka thënë se është e dëmshme për demokracinë që pushteti të jetë në dorën e vetëm një subjekti politik. “Pse nuk është zgjedh shefi i AKI’së? Sepse nuk ka pasë dakordim mes presidentit dhe kryeministrit. Është njëfar puro kapje e pushtetit, që mund ta kthejë Kosovën në pushtet totalitar. Nuk dua ta shohë Kosovën në dorën e vetëm një subjekti politik”, ka deklaruar ai.
Zemaj është deklaruar edhe lidhur me çështjen e kryetarit të ri të LDK’së, të cilit ia ka përmendur cilësitë dhe ka thënë se mund ta rikthejë këtë subjekt politik.
“Këtë besim, dhe këto kapacitete vepruese, i ka kryetari i ri. Është i edukuar mirë, ka figurë karizmatike, është tregu në mandatet e kalume që mund të bëjë ndryshime. Duhet t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat, edhe pjesën e fjetur të LDK’së, por mbi të gjitha duhet ndryshuar politika si model i ri me një trashëgimi të gjatë institucionale”, ka thënë Zemaj.