Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Arjeta Sadiku, priti sot në takim gjyqtaren mbikëqyrëse të Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Blerina Jakupi-Ramadani.
Gjatë këtij takimi u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me funksionimin efikas të degës në Viti, sfidat aktuale me të cilat përballet sistemi gjyqësor, si dhe mundësitë për përmirësimin e shërbimeve gjyqësore për qytetarët.
Zëvendëskryesuesja Sadiku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave, duke vlerësuar se një koordinim i tillë kontribuon në forcimin e efikasitetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
Nga ana e saj, gjyqtarja mbikëqyrëse Jakupi-Ramadani shprehu përkushtimin për përmirësimin e proceseve brenda degës së gjykatës, si dhe gatishmërinë për të mbështetur të gjitha proceset e rëndësishme që synojnë avancimin e punës së gjykatave.

