Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka lëshuar një njoftim drejtuar kandidatëve për kryeministër dhe subjekteve politike, duke rikujtuar se organizimi i tubimeve zgjedhore në territorin gjerman nuk lejohet më pak se tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në vendin e tyre.
Meqë zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 28 dhjetor, kjo do të thotë se nuk mund të ketë tubime në Gjermani, një nga vendet ku është e përqendruar më së shumti diaspora kosovare.
“Meqenëse kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, ngjarjet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftimin e ambasadës të mërkurën.
Së fundmi, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një tubim në Frankenthal të Gjermanisë më 13 dhjetor.

