Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë Luginë.
Ato shkojnë bashkë e na bashkojnë edhe ne.
Për Luginën jemi bashkuar.
Për shqiptarët bashkë jemi rreshtuar.
Jo për deputet si numër po për përfaqësim si orientim politik.
Jo për një por për 3 e më shumë deputet.
Për dinjitet si shqiptarë.
Për të mirën e përgjithshme.
Për secilin prej nesh e për secilin prej jush.
Jemi këtu sonte për ta përmbyllur aktivitetin tonë parazgjedhorë e për të folur se sa i rëndësishëm do të jetë përfaqësimi jonë nesër.
Jemi këtu para çdo vendbanimi të Luginës së Preshevës që secili në vete, në mënyra të ndryshme e në kohë të caktuar ka qenë ose po vazhdon të jetë i diskriminuar.
Vendbanimet e Medvegjës po pasivizohen masovikisht e të Bujanocit e Preshevës po diskriminohen skajshmërisht.
Jemi këtu për të kërkuar përkrahjen e gjithësecilit sot për ta përfaqësuar secilin prej jush nesër.
Edhe qytetarin e pasivizuar.
Edhe studentin e diplomuar, diploma e të cilit nuk njihet.
Edhe shqiptarët e kualifikuar për vende pune por që punë nuk na ofron Beogradi dot.
Jemi këtu për ta kërkuar besimin tuaj që të vazhdojmë betejën tonë të përbashkët për liri e barazi.
“E dua njeriun që kur e shtypin thotë jo” ka thënë Omeri r.a. E ne I thamë jo nënshtrimit.
Jo asimilimit.
Po barazisë.
Po dinjitetit.
Po përfaqësimit.
Ne të gjithë bashkë i tham JO edhe partisë shtet në Bujanoc dhe Preshevë.
Jo sepse dëshirojmë t’i diskriminojmë qytetarët tanë lokal, por sepse ata të parët e goditën Medvegjën.
Sepse ata nuk rrespektuan asnjë marrëveshje të nënshkruar me partitë politike shqiptare.
Parulla e Serbisë nuk është parullë krishtere “cdo gjë që është e imja është edhe e jotja” por lakmitare “ cdo gjë që është e jotja është edhe e imja”.
Të na marrin atë ku ne jemi shumicë e të mos japin asgjë ku ata vendosin.
Prandaj edhe nuk na duan të integruar.
Prandaj edhe nuk na ofrojnë barazi.
Sepse ata dojnë të jemi të ndarë e nënshtruar e të tilla të jenë edhe kërkesat e tona.
Ata dëshirojnë të lodhemi nga këmbulësia për të drejtat e tona. Ata duan që ne të heqim dorë. Të dorëzohemi.
E kështu edhe gjejnë në mesin tonë njerëz që synimin e tyre jetësor e kanë të bëhen pjesë e Qeverisë me Sekretarë shtetërorë.
Thua ti se Serbia, kjo qe ka mbetur vendi i vetëm në Evropë si dorë e zgjatur e Putinit, vuan për të pasur ministër shqiptar.
Thua ti se Vulini e Daqiqi mezi spresin të kenë kolegë shqiptarë në kabinetin qeveritarë.
Për cfar na duhen sekretarët shterorë kur në institucionet Republikane që veprojnë në komunat Preshevë e Bujanoc nuk ka vend për shqiptarët lokal.
Neve nuk na duhen disa pozita të parëndësishme në Beograd, neve na duhe përfaqësim i barabartë në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.
Ne na duhet perspektivë për të rinjët e zhvillim ekonomik për vendin.
Mënyra se si disa e shikojnë problemin është vet problemi. Ata po presin raste të jashtëzakonshme për të bërë veprat të mira e ne po mendojmë që veprat e mira duhet të jenë pjesë e veprimeve të zakonshme.
Sepse të mirat ia kemi borxh qytetarit tonë. Atyre që na kanë përkrahur dhe po vazhdojnë të na përkrahin.
Ne nuk kemi kohë që te jepemi pas kërkimit të shkaqeve që na sjellin të këqijat, por duhet të veprojmë kundër të keqes bashkërishtë.
Me Identitetin, kulturën, traditën dhe historinë nuk ka kompromis. Ato duhet t’I ruajmë me xhelozi.
Ashtu sic duhet të ruajmë faktin që në Bujanoc jemi komuniteti shumicë.
Në Preshevë jemi mbi 95% e në Medvegjë t’i nxisim qytetarët tonë që të paditin shtetin e të fitojnë të drejtën që t’iu kthehen adresat.
Duhet sepse e kundërta është logjikë e pretendim i Serbisë.
Ka vite që thonë se jemi shumë më pak se sa pretendojmë.
Madje nuk njohin as statistikat e veta zyrtare.
Se listat tona zgjedhore janë të fryera dhe se shqiptarët nuk janë aq në numër.
E këtë nuk duhet ta lejojmë.
Nuk duhet sepse Malësia e Bujanocit e Karadaku i Preshevës janë zbrazur nga terrorri dhe maltretimet e paramilitarëve e jo nga vullneti i tyre qytetarë.
Nga mungesa e kushteve elementare për jetesë dhe jo nga luksi që ky shtet I ka ofruar.
E nëse këto ditë po pyesin pse Zarbinca i ka vetëm pesë nxënës, atëherë le ta pyesim shefin e tyre në Beograd pse u shpërngulën mijëra shqiptarë nga Lugina e Preshevës.
Nga ky vend, shfrytëzoj rastin, ti bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që jetojnë përkohësisht në Kosovë, që të dielën të vijnë e votojnë.
Të vijnë e ta dëshmojmë që nga shkolla e Zarbincën kanë dalë shumë nxënës.
Dhe se nxënës do të ketë edhe në të ardhmen. Edhe më shumë se sot.
Se Karadaku i Preshevës ka qenë e do të jetë gjithmonë me njerëz.
Se Breznica e Muhoci kanë jetë.
Se Tërnoci është përnime i Madh.
Se Bujanoci është i shqiptarëve.
Se Medvegja frymon shqip.
Se Lugina na bashkon.
Prandaj ejani.
Bëhuni dora jonë e hekurt e antiplumbi që mbronë identitetin e dinjitetin tonë këtu.
Ejani sepse pranë nesh ishit sa herë që duhej. E kësaj radhe duhet edhe më shumë. E kësaj radhe është edhe më lehtë.
Pa dyshime e hamendje se kë duhet votuar. Pa ndarje e pa ndasi.
Na keni këtu. Në një listë të vetme. Në numrin 16. Në Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës.
Ejani që ta dëshmojmë bashkarishtë se këtu jemi. E do të jemi edhe gjat.
E do të jemi përherë.
Kam edhe një porosi për të gjithë ata që jetojnë këtu e që po mundohen t’i paraqesin si të parëndësishme këto zgjedhje.
Kemi marr shumë mesazhe e na u kanë kërkuar shumë informacione se “a kemi drejtë të votojmë” nga njerëz që tashmë Serbia ua kishte pasivizuar adresat.
Të njejtit janë interesuar se si mund e a mund të regjistrohen përsëri. Do të votonim me gjithë qejf e me shume vullnet po sikur të mos na kishin marrë mundësine, thonin të dëshpruar.
E nëse ata i ka pasivizuar Serbia, mos u pasivizoni me vetdëshirë dhe mos u shëndrroni në qytetarë që rrinë anash në momentet kur më së shumti për ta ka nëvojë ideja për të qëndruar e për të vazhduar betejat tona të përbashkëta.
Thirrni mendjes. Shfrytëzoni të drejtën e votës.
Radhituni krah për krah me ne. Votoni e zgjidhni.
E të gjithë Ju që jeni këtu. Faleminderit për përkrahjen që po I jepni Listës sonë.
Ju ftoj të rezistoni, të bashkëbisedoni me miq e familjarë, ti ftoni që të dielën që po vjen të mobilizohen, të dalim në çdo vendvotim dhe të votojmë listën me numër 16, Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës.
Zoti Ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Zoti i bekoftë shqiptarët!