Votuesit e regjistruar jashtë vendit do të kenë mundësi që të votojnë para shtetasve që jetojnë në Kosovë, për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.
Periudha e votimit për diasporën e regjistruar do fillojë më 9 janar dhe do përfundojë më 8 shkurt – 31 ditë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tregon se Gjermania prin me numrin më të madh të regjistruesve për zgjedhjet 9 shkurtit.
“Dy shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë Gjermania me 44,774 votues dhe Zvicra me 27,248 votues të regjistruar. Pas tyre vijnë edhe disa shtete tjera siç janë Franca, Suedia, Austria, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar dhe Finlanda”.
“Të gjitha këto shtete përbëjnë 10 shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar nga jashtë Kosovës për procesin zgjedhor në vendin tonë”, tha ai.
Janë gjithsej 104.924 bashkatdhetarë që do kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet parlamentare.
Shumë prej tyre do votojnë në përfaqësitë diplomatike kosovare, ndërkaq, të tjerët do dërgojnë fletëvotimet në pikat e kutisë postare të KQZ-së.