Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hartuar planin operativ dhe se ka bërë të gjitha planifikimet për mbarëvajtje të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në një komunikatë drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Plani operativ është i ndarë në katër faza, ku përfshihen: Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, garantimi i sigurisë në gazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z), dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK’së, të materialit sensitive e deri në përfundim të procesit.
Faza e parë tani veçse është realizuar, përderisa Policia thotë se tani janë në prag të zbatimit të fazës së dytë, për të vazhduar sipas planit me fazat tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor.
“Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, ka caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor”, thuhet në komunikatë./Reporteri.net