Prokuroria e Shtetit ka thënë se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Prokuroria ka njoftuar se në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.
Ata do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.
“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.
Ditë më parë, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar rëndësinë e çdo vote në zgjedhjet lokale që mbahen këtë të diel, shkruan Reporteri.net.
Ai bëri thirrje që votuesit të dalin dhe të respektohet procesi demokratik, duke e cilësuar këtë test për demokracinë e vendit.
Orav nënvizoi se zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve hap mundësi të reja për Kosovën.
“Me zgjedhjet lokale që mbahen këtë të diel, u bëj thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote, pavarësisht përkatësisë etnike apo preferencës partiake, të dalin në votime dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Është thelbësore që procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, që vullneti i votuesve të respektohet dhe rezultatet të zbatohen. Këto zgjedhje lokale janë një provë për demokracinë e Kosovës. Kalimi me sukses i kësaj prove i hap Kosovës mundësi të reja”, ka thënë Orav./Reporteri.net