Afati për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe kandidatëve për asamble komunale në KQZ po skadon, ndërsa partitë parlamentare ende nuk i kanë dorëzuar ato.
Derisa afati për dorëzimin e këtyre listave dhe kërkesës për certifikim të partive përfundon nesër (13 gusht) në orën 23:59, partitë më të madhe politike nuk kanë aplikuar ende.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja gjatë muajit të kaluar kanë publikuar listat e tyre me kandidatë për kryetarë të komunave. Deri më tani vetëm VV-ja nuk e ka publikuar listën e plotë të kandidatëve të saj për kryetarë të komunave.
Ndonëse partia e Albin Kurtit në shumicën e komunave ka treguar se kush janë kandidatët, ende nuk dihet se me kë kjo parti do të garojë në Gjakovë, Pejë dhe disa komuna tjera.
Vetëm dje kjo partia ka treguar se kandidati i saj për kryetar të Komunës së Ferizajt do të jetë ish-deputeti Enver Haliti.
Listën e këtyre kandidatëve, PDK-ja e ka publikuar më 27 korrik.
Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ishte shprehur optimist për rezultatin e zgjedhjeve të 12 tetorit.
“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka votuar dhe miratuar listën përfundimtare të kandidatëve tanë për kryetarë të komunave. Një listë, që përtej emrave të përveçëm, paraqet vizion e guxim dhe garanton një qeverisje komunale në shërbim të qytetarëve. 31 kandidatë për kryetarë komunash, gra e burra me përvojë, integritet dhe përkushtim. Në 5 komuna të tjera do të garojmë me lista të denja të këshilltarëve për Kuvendet Komunale, me njerëz që e duan vendin e tyre dhe dinë si t’i shërbejnë atij. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike e Kosovës konfirmon shtrirjen më të gjerë të garimit në nivel vendi, duke marrë pjesë në zgjedhje në 36 nga 38 komunat e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Krasniqi.
Të njëjtin optimizëm e kishte shprehur edhe kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kur kishte publikuar edhe listën e kandidatëve të LDK-së për kryetar të komunave më 10 korrik.
“Pas një procesi të brendshëm konsultativ, të ndërtuar mbi besim, unitet të plotë si rrallëherë më parë; dhe përkushtim të sinqertë, LDK sjell para qytetarëve më të mirët që ka – një ekip përfaqësuesish të jashtëzakonshëm, me dije dhe me vizion të qartë për zhvillimin e qyteteve tona. Disa prej tyre janë udhëheqës të dëshmuar – figura që kanë rikthyer besimin në qeverisje, që kanë mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe kanë sjellë projekte e zhvillim konkret në komunat e tyre. Të tjerët janë energjia e re që vjen me pasionin e ndryshimit – njerëz që janë gati të marrin përgjegjësi atje ku sot mungon dija dhe drejtimi”, kishte shkruar Abdixhiku, shkruan Nacionale.
Kohë më parë, edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte publikuar listën e kandidatëve, duke treguar se kjo parti do të ketë kandidat për kryetar në 24 komuna.
“Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së, sot me votë unanime ka miratuar nominimet e 5 kandidaturave të fundit për kryetarë komunash, filluar nga Enver Hoti për Malishevë, Hafize Sallahu për Kaçanik, Mensut Ademi për Vushtrri, Ali Krasniqi për Obiliq dhe Beqir Kiqina për Drenas, me të cilët mbyllet cikli i kandidaturave të Aleancës për zgjedhjet lokale 2025. Aleanca më herët kishte zyrtarizuar kandidaturat për 19 komuna të tjera. Lista e kandidatëve të AAK përbëhet nga figura të dëshmuara, që kanë pas vetes jo vetëm përvojë, por edhe rezultate konkrete në shërbim të qytetarëve”, kishte shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka mbajtur një mbledhje të rregullt, ku mori vendime të veçanta për certifikimin e 10 subjekteve politike, prej të cilave 2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 12 tetor.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 64 kandidatë. 5 prej tyre janë kandidatë për kryetarë të komunave dhe 59 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.