Kjo licensë është aprovuar me pesë vota për dhe asnjë kundër.
Kryesuesi i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se ky proces ka qenë i stërzgjatur.
“Territori që mbulon kjo licensë është e konsumatorëve të Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Mitrovicës Veriore, ky proces ka qenë i stërzgjatur. Duhet të ritheksohet se kjo licensë ka të bëjë me furnizimin në 4 komunat me çmime të parregulluara, që do të thotë se konsumatorët e këtyre komunave do të furnizohen me çmime, të cilat ofrohen nga ky furnizues, por duhet të ritheksohet se tarifat do të jenë obligative dhe do të implementohen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.
Kosova u pajtua paraprakisht që t’i japë kompanisë “Elektrosever” leje për të operuar në veri të vendit.
Sipas udhërrëfyesit për të cilin Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel, kjo kompani parashihet ta nënshkruajë një marrëveshje tregtare me KEDS-in, përmes së cilës do t’i mundësohet t’i kryejë shërbimet e distribuimit (faturimin, inkasimin, mirëmbajtjen dhe kyçjen e konsumatorëve të rinj) në katër komunat me shumicë serbe në veri.