Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) informon opinionin publik se ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar, në përputhje me kërkesat ligjore, për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale.
Këto aplikacione janë aktualisht në proces të vlerësimit nga ZRRE-ja, dhe pas përfundimit të këtij procesi, ZRRE-ja do të publikojë raportin konsultativ, i cili do të ndahet me publikun për shqyrtim dhe komente.
Dëshirojmë të sqarojmë për opinionin publik se çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Këto pretendime nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat aktuale të pranuara nga operatorët e licencuar dhe nuk pasqyrojnë procesin në vazhdim të vlerësimit nga ZRRE.
ZRRE fton të gjitha palët e interesuara dhe qytetarët që për çdo pyetje, shqetësim ose informacion lidhur me këtë proces, të kontaktojnë drejtpërdrejt me ZRRE-në për të marrë informacionin e saktë dhe të bazuar në procedurat ligjore dhe rregullative të përcaktuara.
Angazhimi ynë është të sigurojmë një proces transparent dhe të drejtë, që u shërben interesave të qytetarëve dhe zhvillimit të sektorit të energjisë në përgjithësi.