Masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, sidomos reduktimi i lëvizjes së automjeteve, kanë ndikuar që në Kosovë të përmirësohet cilësia e ajrit deri në 50%, thonë zyrtarët.
Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, thotë për radion “Evropa e Lirë” se matja e cilësisë së ajrit bëhet në 12 stacione dhe se në të gjitha prej tyre ka rënie të dyoksidit të azotit, që është produkt i djegies së karburanteve nga automjetet.
“Transporti është njëri ndër ndotësit më të mëdhenj. Numri i makinave sillet rreth 400 mijë, duke mos numëruar makinerinë e rëndë, pastaj industrinë private, minierat e të tjera. Nëse krahasohet muaji mars i vitit të kaluar me periudhën e njëjtë të këtij viti, vërehet një përmirësim i dukshëm, deri në 50 për qind. Edhe pse janë burim i dytë i ndotjes, pas energjisë, automjetet kanë ndikuar shumë në zvogëlimin e ndotjes”, thotë Morina.
Cilësia e dobët e ajrit në Kosovë, prej vitesh, ka qenë temë debatesh. Sipas autoriteteve shëndetësore, në vazhdimësi është rritur edhe numri i pacientëve, të cilët kanë pasur sëmundje kronike, sidomos probleme me mushkëri.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Kosovë, brenda një viti, vdesin rreth 3 mijë persona pikërisht nga ajri i ndotur.
Morina thotë se shteti i Kosovës duhet ta marrë seriozisht çështjen e ndotjes së ajrit dhe të investojë në përmirësimin e tij.
Sipas tij, vënia në funksion e linjave hekurudhore do të ndikonte në zvogëlim të ndotjes, pasi do të zvogëlonte numrin e automjeteve në qarkullim.
Si zgjidhje të tjera të mundshme ai përmend krijimin e një transporti më të sofistikuar urban dhe rajonal, ose rritjen e çmimeve të vendparkimeve publike.
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga ndotja e ajrit në vitin 2012 kanë vdekur rreth 7 milionë njerëz në botë. Ndërkaq, gjatë viteve të fundit janë llogaritur 2 deri në 4.7 milionë vdekje në vit. Në Evropë vdesin deri në 300 mijë njerëz në vit nga ndotja e ajrit, derisa në Kosovë deri në 3 mijë persona”, thotë Morina, duke cituar të dhënat e OBSH-së.
Rukije Mehmeti, pulmologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se vërehet një numër më i vogël i të sëmurëve kronikë, që lajmërohen në institucionin ku ajo punon.
Por ajo nuk mund të thotë nëse kjo ka ndodhur si rezultat i përmirësimit të cilësisë së ajrit ose për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
“Aktualisht Klinika jonë është shndërruar në klinikë-konvikt, për t’i mbështetur pacientët me COVID-19 e që kanë probleme pulmologjike. Një pjesë të pacientëve tanë e kemi dërguar në alergologji, edhe pse ajo Klinikë nuk mund t’i mbështesë të gjithë pacientët, që kanë probleme me mushkëri, pasi i ka vetëm 10 shtretër. Aty janë vetëm rastet e rënda, derisa të tjerat trajtohen në mënyrë ambulantore”, thotë Mehmeti.
Në një raport të publikuar nga grupi i OJQ-ve mjedisore në Evropën Qendrore dhe Lindore “Bankwatch Network”, në fund të vitit të kaluar, është thënë se termocentralet e Kosovës janë ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.
Ministria e Infrastrukturës dhe e Ambientit në Kosovë ka vendosur monitorë për matjen e cilësisë së ajrit nëpër gjithë territorin, ku qytetarët kanë mundësi të shohin në baza ditore cilësinë e ajrit që thithin.